Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Euro-Atlantik

, 24.08.2007




Procesi i statusit të Kosovës është çështje më madhore e vendit , ndaj Kuvendi dhe të gjitha segmentet e tij duhet të jenë në seancë të përhershme rreth kësaj çështjeje. Në këtë vështrim edhe para Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Euro-Atlantik shtrohen obligime dhe përgjegjësi , që të jetë vazhdimisht në kontakt e komunikim të përhershëm me Kuvendin , por edhe me Grupin e Unitetit, për t’ iu përgjigjur dinamikës së zhvillimit të këtij procesi dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme që ky proces të zhvillohet sa më mbarë. Këto ishin disa nga konstatimet e mbledhjes së sotme të Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Euro-Atlantik, të kryesuar nga prof.dr. Sabri Hamiti, kryetar i Komisionit, në të cilën temë bosht ishin bisedimet për statusin e Kosovës, me theks të veçantë funksionalizimi i mëtejmë i këtij Komisioni në këtë proces.

Duhet të jemi të parapërgatitur dhe shumë unik gjatë këtij 120 ditshi, por edhe në vijim, bashkë me të gjithë faktorët relevantë të vendit për të sendërtuar vullnetin e popullit për pavarësi, i cili nuk ka alternativë. Në vijim u tha se duhet të shmangen nga praktika disa dallime në deklaratat e anëtarëve të Grupit të Unitetit.

Zvarritja e procesit të statusit të Kosovës shqetësonte anëtarët e Komisionit, sepse kjo, si u tha këtu, ka si pasojë krijimin e një situate të rëndë, si dhe stagnim në të gjithë lëmenjtë e Kosovës.

Gjatë debatit u shtrua edhe çështja e ligjeve, në vështrimin se a do të vazhdohet me ligjet e Pakos së Ahtisarit, apo edhe me ligje sistemore, duke përfshirë këtu edhe Kushtetutën.
Mbledhja e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Euro-Atlantik