Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha ngushëllon familjen Begolli

, 24.08.2007




Me rastin e vdekjes së artistit të madh të skenës dhe të filmit , Faruk Begolli, kryetari i Kuvendit të Kosovës , Kolë Berisha i dërgoi familjes së tij një telegram ngushëllimi me këtë përmbajtje:

E nderuara familje Begolli,

Me pikëllimin më të thellë morëm lajmin për ikjen nga kjo jetë në moshën 63-vjeçare të anëtarit të dashur të familjes Suaj dhe të Ikonës së skenës filmike e teatrore të Kosovës, Faruk Begolli.

Artisti i Madh, Faruk Begolli, do të mbetet në kujtesë të përhershme të brezave të tashëm e të ardhshëm, jo vetëm për 70 rolet që la pas vetes në filma e në drama televizive, por edhe për atë se iku nga kjo jetë në kohën kur mund t’i jepte më së shumti kulturës kosovare. Do të ndihet shumë dhe gjatë mungesa e tij. Do të ndihet vakumi që la pas vetes në tërë kulturën tonë Aktori i Madh, Faruk Begolli. Prandaj, ikja e tij nga kjo jetë është humbje, jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë popullin shqiptar.

E nderuara familje Begolli,

Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Kosovës, pranoni ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta për këtë humbje të madhe për Ju dhe për mbarë popullin shqiptar.