Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti u.d. Ombudspersonin e Kosovës, Hilmi Jashari

, 24.08.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot në një takim u.d. Ombudspersonin e Kosovës, Hilmi Jashari, me të cilin bisedoi për domosdonë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet institucionit të Ombudspersonit të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës.

U.d. Ombudspersoni i Kosovës, Hilmi Jashari, e informoi kryeparlamentarin Berisha se institucioni që përfaqëson ai ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës raportin vjetor të Ombudspersonit, për të cilin ai tha se është mirë të debatohet edhe në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, kryeparlamentari Berisha e siguroi u.d. Ombudspersonin e Kosovës se do të shikohen procedurat për shtruarjen në rend të ditës së raportit vjetor të institucionit të Ombudspersonit të Kosovës për ndonjërën nga seancat e radhës së Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim u bisedua edhe për vështirësitë me të cilat po ballafaqohet institucioni i Ombudspersonit të Kosovës për shkak të prolongimit të procedurave në zgjedhjen e Ombudspersonit të Kosovës.