Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 30.08.2007




Shqyrtimi i Raportit fiskal për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007 në shkallë vendi ishte temë themelore në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i këtij Komisioni, e ku mori pjesë edhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Behxhet Brajshori me bashkëpunëtorë.

Në fillim të mbledhjes zëvendësministri Behxhet Brajshori dha një pasqyrë të ecurive të para gjashtëmujore fiskale të këtij viti në Kosovë, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe të hyrat e grumbulluara janë 446,76 milionë euro, që paraqesin 65,4 për qind të planit vjetor, ndërsa nëse krahasohen me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë 35, 7 më të larta. Në Raportin e paraqitur para Komisionit theksohej se në këtë ka ndikuar edhe licenca e telekomunikacionit prej 75 milionë euro. Të dhënat tregojnë,theksoi Brajshori, se po vërehet një ecuri pozitive në të hyra, të cilat më shumë rrjedhin nga doganat dhe tatimet vendore. U tha se edhe më tutje pjesa më e madhe e të hyrave sigurohen në kufi, e jo nga brenda.

Shpenzimet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të vitit 2007 kanë arritur shumën 276, 57 milionë euro, që paraqet 37 për qind të ndarjeve të tërësishme vjetore, që është nën nivelin e planit buxhetor, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar janë më të larta 9,9 për qind. Në mbledhje u tha se Raporti fiskal për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007 është në kontinuitet të raporteve të kaluara, pra ka një strukturë të njëjtë. Kur është fjala për shpenzimet kapitale u tha se ato brengosin, sidomos në komuna ku përqindja e tyre është shumë e vogël.

Pas debatit të gjerë Komisioni përkrahu në parim Raportin fiskal për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, duke kërkuar që Raporti në fjalë të plotësohet me disa të dhëna më të detajizuara dhe të eliminohen disa lëshime teknike. Në këtë vështrim propozohet që Kryesia ta procedojë këtë Raport në Kuvend.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa