Lajmet e fundit

Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Siguri

, 30.08.2007




Në kuadër të kompetencave për mbikëqyrjen parlamentare mbi sektorin e sigurisë, Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës sot ka organizuar një dëgjim para Komisionit me Ministrinë për Punë të Brendshme. Në dëgjim kanë marrë pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare. Dëgjimi është mbajtur nё ”Qendrën e Situatave”, e cila funksionon në kuadër të Zyrës për Siguri Publike të Kryeministrit.

Komisioni është pritur nga ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Blerim Kuçi, drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave, z. Bislim Zyrapi dhe Shefi i Qendrës së Situatave, z. Mustafë Gashi me bashkëpunëtorët e tyre.

Fillimisht Kryetari i Komisionit për Siguri z. Naim Maloku, njoftoi se qëllimi i këtij dëgjimi është njohja e Komisionit me aktivitetet që janë ndërmarrë nga institucionet përgjegjëse lidhur me situatën emergjente si pasojë e zjarreve në Kosovë.

Komisioni është njoftuar nga nikoqirët me organizimin dhe funksionimin e komitetit ndërinstitucional përgjegjës për menaxhim e kësaj situate. Përveç angazhimit të Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave, janë angazhuar edhe njësitet e SHPK-së, TMK-së, KFOR-it, njësisë vullnetare, Agjencioni Pyjor i Kosovës. Ndërsa UNMIK-gjatë kësaj kohe ka qenë në rolin e ndërmjetësuesit.

Shkaqet e zjarreve janë pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës se kujdesit të faktorit njeri. Deri me tani ka pasur afër 5000 hektarë sipërfaqe të djegura dhe mbi 3000 raste të zjarreve, ndërsa përballja me këtë situatë ka qenë shumë e vështirë, dhe kanë dal në pah edhe disa mangësi që kanë ndikuar në mos efikasitet në shuarjen e zjarreve, sidomos mungesa e pajisjeve dhe personelit. Para komisionit është prezantuar në mënyrë elektronike një raport që pasqyronte aktivitetet e ndërmarra deri me tani, si dhe vatrat aktuale te zjarreve. Pas përfundimit të punës së Komitetit ndërministror do të përgatitet një raport gjithëpërfshirës për aktivitetin e bërë dhe vlerësimin e dëmit.

Në menaxhimin e kësaj situata rëndësi të madhe ka pasur funksionalizimi i Qendrës së Situatave, sepse për herë të parë është bërë centralizimi i operacioneve.

Udhëheqësit Ministrisë, Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Qendrës së Situatave pastaj janë përgjigjur në pyetjet dhe interesimet e deputetëve. Dëgjimi është mbyllur me një vizitë nё ambientet e Qendrës së Situatave të Zyrës së Kryeministrit.