Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti komandantin e ri të KFOR-it, gjenerallejtënant Xavier de Marnhac

, 03.09.2007




Thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe KFOR-it, proceset dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, ishin tema themelore të takimit të sotëm njohës të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me komandantin e ri të KFOR-it, gjenerallejtënant Xavier de Marnhac. Me këtë rast, kryetari i Parlamentit Berisha i premtoi gjeneralit ndihmën e tij dhe të Parlamentit në të gjitha segmentet e bashkëpunimit dhe të angazhimit.

Në këtë frymë gjenerali Xavier de Marnhac u falënderua për pritjen duke çmuar shumë gatishmërinë për bashkëpunim , si dhe duke i dhënë shumë rëndësi këtij fakti për realizimin e suksesshëm të misionit të KFOR-it në Kosovë. Ai shprehu vendosmërinë e tij për angazhim maksimal në përmbushjen e këtij misioni, e që është paqja dhe stabiliteti në Kosovë, si dhe kontributi në mbarë proceset demokratike. Në këtë kuadër ai përmendi zgjedhjet, të cilat do të mbahen në nëntor në Kosovë, duke theksuar se është me rëndësi që ato të mbahen në një atmosferë të sigurisë së lartë.

Duke folur rreth zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, kryeparlamentari Berisha tha se këto zgjedhje do të kalojnë si është më së miri, sepse Kosova, pra qytetarët dhe institucionet e saj, në zgjedhjet e deritashme kanë treguar pjekuri të lartë e organizim të mirë, gjithnjë duke bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare, e në këtë kuadër edhe me KFOR-in.
Kryeparlamentari Berisha priti komandantin e ri të KFOR-it, gjenerallejtënant Xavier de Marnhac