Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti lordin Russell Johnston

, 03.09.2007




Kryetari i Kuvendit te Kosovës, Kole Berisha, priti sot një delegacion të Këshillit të Evropës që kryesohej nga lordi Russell Johnston, raportues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në delegacion ishin edhe znj. Sonja Sirtari, nga Komiteti për çështje politike i Asamblesë Parlamentare dhe z. Zyrab Katchkatchishvilli, shef i Zyrës së Këshillit Evropian në Kosovë.

Ne këtë takim u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë, ecuritë lidhur me procesin e statusit të Kosovës, bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe për angazhimet dhe rolin e Kuvendit të Kosovës në këtë proces.

Lordi Johnston këtë vizitë në Kuvendin e Kosovës e bën në kuadër të përgatitjes së një raporti që do ta paraqesë para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kryetari i Kuvendit, Kole Berisha, i paraqiti mysafirit nga Këshilli i Evropës një pasqyrë të hollësishme për zhvillimet në Kosovë, për aktivitetet legjislative të Kuvendit, pastaj rëndësinë e zgjidhjes sa më të shpejtë të statusit të Kosovës, si dhe rëndësinë e veçantë që ka për këtë proces angazhimi i vendosur dhe konsensual i vendeve anëtare të BE-se. Vonesa e zgjidhjes së statusit ka bllokuar proceset zhvillimore në Kosovë, ka theksuar kryetari i Kuvendit.

Në bazë të interesimit të lordit Johnston, kryeparlamentari Berisha shpjegoi edhe shkallën e bashkëpunimit të Kuvendit të Kosovës me parlamentet e tjera evropiane, shkallën e përgatitjeve për miratimin e ligjeve që mundësojnë implementimin e Pakos së Ahtisarit, si dhe shumë çështje të tjera, të cilat do të zënë vend në raportin e lordit Russell Johnston për Kosovën.
Kryeparlamentari Berisha priti lordin Russell Johnston