Lajmet e fundit

Fjalë rasti e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, në ceremoninë e hapjes në ambijente të reja të Bibliotekës së Kuvendit të Kosovës

, 10.09.2007




Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin që, fillimisht, në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju dëshiroj mirëseardhje në këtë akt solemn, në këtë manifestim simbolik, me rastin e përurimit të lokalit të ri të bibliotekës së Kuvendit të Kosovës dhe fillimit të pasurimit të saj me një fond të konsiderueshëm librash.

Të nderuar të pranishëm,

Duke pasur parasysh mendimin se “Librat nuk janë përmendore të së kaluarës, ato janë armë e të sotmes”, tetëmbëdhjetë muaj më parë, kur erdha në Kuvend, njëra ndër objektivat e mia ishte edhe krijimi i një hapësire më të përshtatshme për bibliotekë dhe pasurimi i saj me literaturë të nevojshme, i vetëdijshëm se, për Kosovën dhe për popullin e saj, sot, më tepër së kurrë më parë, libri, vërtet, duhet të jetë arma më e mirë, më e fortë, më e fuqishme dhe, gjithsesi, më e domosdoshme.

Dhe, nuk kam besuar se do të kalojë kaq shumë kohë për ta realizuar këtë objektiv. Por, populli thotë: “Më mirë vonë se kurrë”.

Andaj, duke falënderuar BKUK-në dhe drejtorin e saj, z. Sali Bashota, si dhe Projektin “Mbështetje Kuvendit të Kosovës”, dhe drejtuesin e tij, z. Huges dr Courtrivon, me të cilët, kohë më parë, nënshkruam Memorandumin e mirëkuptimit, të cilët na dhanë përkrahje konkrete në aspektin e përgatitjes profesionale të stafit, por edhe një fond, fillimisht, të konsiderueshëm librash, unë jam shumë i lumtur që, ky Kuvend, megjithatë, prej sot, do ta ketë një ambient më të përshtatshëm për ta strehuar, për ta ruajtur, për ta kultivuar dhe për ta shfrytëzuar librin nga lexuesit e pasionuar dhe nga studiuesit apo hulumtuesit shkencorë.

Për më tepër, duke kaluar në lokal të ri, po krijojmë mundësi më të mëdha për zgjerim në aspektin hapësinor, por edhe për pasurimin në mënyrë permanente të fondit të librave të të gjitha profileve dhe të të gjitha gjuhëve.

Dhe, jam shumë i lumtur se, si Kuvend, kemi arritur që, që nga dita e nesërme, deputeti i këtij Parlamenti të ketë mundësi të kthejë në bibliotekë, ku mund të ulet dhe të lexojë, të shkruajë apo të hulumtojë material që i përshtatet fushës së tij të interesimit.

Ndonëse po fillojmë me një fond fare modest të literaturës së nevojshme, premtojmë se, jo vetëm që do të përpiqemi, por edhe do t’ia dalim që, shumë shpejt, duke kontaktuar edhe me parlamente të tjera, nga rajoni dhe nga qendrat e tjera në të dy anët e Atlantikut, në sirtarët e kësaj biblioteke do të mund të gjendet, në çdo kohë, e tërë literatura profesionale, duke filluar nga ajo juridike, dokumente të ndryshme, e deri te ajo historike, publicistike, beletristike, etj.

Krahas titujve në dispozicion, përkatësisht krahas literaturës së cekur më lartë, në ambientet e kësaj biblioteke do të ketë staf profesional dhe pjesë të veçanta e shumë të përshtatshme për shërbime të kësaj natyre.

Për deputetët, para së gjithash, kjo bibliotekë do të ofrojë mundësi për marrje të informatave që do të ndikojnë fuqishëm në përgatitjen e tyre për fusha të caktuara, pra do të jetë në funksion të efikasitetit në punën e deputetëve.

Biblioteka do të jetë në funksion të të gjithë atyre që kanë nevojë për të, pra, edhe për ata nuk janë deputetë apo punëtorë të këtij Kuvendi, për ata që kanë nevojë për ta shfrytëzuar literaturën që ofron kjo bibliotekë.

Miq të nderuar,

Po fillojmë me një fond modest që kishim në dispozicion më parë, dhe me 24 tituj që këto ditë na erdhën nga projekti “Mbështetje Kuvendit të Kosovës”, si dhe me 145 tituj, ose me 220 ekzemplarë – dhuratë nga BKUK-ja, dhe do të vazhdojmë me kompletimin e potë të saj.

Literaturë të ndryshme kanë sjellë edhe individë, dhe përfitoj nga rasti t’i falënderoj të gjithë ata që na kanë ofruar mbështetje në këtë projekt.

Andaj, ceremonia e sotme ka edhe një qëllim të veçantë: të shërbejë si ftesë e përhershme për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët, qoftë edhe vetëm me një libër apo me një dokument tjetër, ta ndihmojnë bibliotekën e Kuvendit të Kosovës.

Duke ju falënderuar të gjithëve për pjesëmarrje në këtë ceremoni, kërkojmë edhe mbështetjen tuaj për begatimin e mëtejmë të kësaj biblioteke.

Edhe diçka: po ashtu, jam i lumtur që me kompetencë mund t’ju njoftoj se, falë drejtorit të Arkivit të Kosovës, z. Jusuf Osmani, me të cilin, po ashtu, kohë më parë e kemi nënshkruar Memorandumin e mirëkuptimit, shumë shpejt do të takohemi, kështu si sot, për ta përuruar ambientin e ri të arkivit të Kuvendit, sikundër që do ta përurojmë për herë të parë një ambient për media në mjediset e këtij Kuvendi.

Ju falemnderit!

Prishtinë,
10 shtator 2007