Lajmet e fundit

U përurua biblioteka e Kuvendit në ambiente të reja

, 10.09.2007




Në prani të deputetëve, të stafit të Kuvendit dhe të përfaqësuesve të institucioneve shkencore, arsimore e kulturore të Kosovës, u përurua sot Biblioteka e Kuvendit të Kosovës, në ambiente të reja.

Kjo ndërmarrje është mbështetur nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare dhe nga Projekti për Mbështetje të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë kontribuuar për pajisjen e bibliotekës me literaturë shkencore dhe për përgatitjen profesionale të stafit të bibliotekës.

Kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, në fjalën e tij të rastit në këtë solemnitet është shprehur i lumtur që Kuvendi, prej sot, do ta ketë një ambient më të përshtatshëm për ta strehuar, për ta ruajtur, për ta kultivuar dhe për ta shfrytëzuar librin.

“Që nga dita e nesërme, deputeti i këtij Parlamenti do të ketë mundësi të kthejë në bibliotekë, ku mund të ulet dhe të lexojë, të shkruajë apo të hulumtojë materialin që i përshtatet fushës së tij të interesimit”, ka spikatur Berisha.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Sali Bashota, themelues i së cilës është Kuvendi i Kosovës, duke përshëndetur për këtë ngjarje kulturore në Kuvend, ka theksuar se dhurata pre 200 ekzemplarësh është vetëm fillimi i mbështetjes së vazhdueshme për Bibliotekën e Kuvendit edhe në planin udhëzimeve profesionale për organizimin e punës.

Udhëheqësi i Projektit për mbështetje Kuvendit të Kosovës, Huges de Courtrivon, duke theksuar rëndësinë që ka për avancimin e punës në Kuvend dhe për demokracinë parlamentare literatura profesionale bashkëkohore, ka përmendur librat referues që kanë ardhur nga Parlamenti Evropian dhe 1100 librat e dhuruar nga Universiteti i Oksfordit. Ai, ndërkaq, ka premtuar se edhe në të ardhmen Projekti do të kujdeset për stërvitjen profesionale të punonjësve të bibliotekës së Kuvendit.

Kryeparlamentari Berisha duke përvijuar rritjen në të ardhmen të kësaj biblioteke, ka falënderuar të gjithë donatorët që kanë dhuruar libra dhe literaturë tjetër shkencore, në mesin e të cilëve edhe shtëpinë botuese “Anton Pashku”, e cila pak para fillimit të ceremonisë së përurimit të bibliotekës së Kuvendit kishte dërguar si dhuratë 25 tituj të saj.

Berisha i ka njoftuar të pranishmit se, falë drejtorit të Arkivit të Kosovës, z. Jusuf Osmani, me të cilin, po ashtu, kohë më parë ka nënshkruar Memorandumin e mirëkuptimit, shumë shpejt do të përurohet ambient i ri i Arkivit të Kuvendit.
U përurua biblioteka e Kuvendit në ambiente të reja