Lajmet e fundit

Deklaratë e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me rastin e 6-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA

, 11.09.2007




Me rastin e 6-vjetorit të sulmeve terroriste në Nju-Jork dhe në Uashington, Kryetari Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, dha një deklaratë për media në të cilën thuhet:

“Sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Nju-Jork e në Uashington, kanë zënë vend në kujtesën e mbarë njerëzimit, si datë e dhembjes dhe e kujtimit për viktimat e pafajshme. Atë ditë, nga sulmet terroriste, humbën jetën rreth 3.000 qytetarë të SHBA-së dhe të 90 vendeve të botës.

Nga ato sulme, bota e lirë demokratike dhe civilizimi modern përjetoi një tronditje të thellë e cila nuk do të harrohet kurrë.

Në çdo 11 shtator, ne nderojmë viktimat e pafajshme, por edhe shëmbëlltyrën heroike te zjarrfikësve, të policëve dhe të personelit tjetër, të cilët ranë heroikisht në krye të detyrës.

Po kështu, nderojmë dhe përshëndesim mobilizimin e botës demokratike, dashamirësit e paqes e të lirisë në botë, të cilët treguan e po tregojnë vendosmëri për ta luftuar terrorizmin si kërcënim global ndaj njerëzimit. Kujtimi për këtë datë e për viktimat e 11 shtatorit do të vazhdojë edhe në të ardhmen të bashkojë e të mobilizojë të gjithë njerëzit dhe të gjitha vendet për të penguar çdo formë të manifestimit të terrorizmit, kudo që të shfaqet në globin tokësor.

Kosova ka përjetuar thellë në shpirt ngjarjen e 11 shtatorit 2001, edhe si dhimbje për viktimat e pafajshme, por edhe si sulm terrorist kundër lirisë njerëzore dhe vlerave civilizuese.

Edhe në këtë përvjetor, në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin tim personal, shpreh solidaritetin e thellë me udhëheqjen e SHBA-së dhe me popullin amerikan për gatishmërinë për të bërë çdo veprim që pengon veprimtarinë terroriste në botë”.