Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Turqisë në Kosovë, Mustafa Sarniç

, 12.09.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti në një takim njohës shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Turqisë në Kosovë, Mustafa Sarniç, me të cilin u bisedua për proceset aktuale politike nëpër të cilat po kalon Kosova, për format e bashkëpunimit ndërparlamentar ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Turqisë, si dhe për domosdonë e bashkëpunimit edhe më të madh ekonomik, kulturor e arsimor ndërmjet dy vendeve.

Kryeparlamentari Berisha që në fillim i dëshiroi shefit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Turqisë në Kosovë, Mustafa Sarniç, sukses në misionin e ri diplomatik në Kosovë dhe e siguroi mysafirin se Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e suksesshëm me Zyrën Ndërlidhëse të Turqisë në Kosovë, duke falënderuar për bashkëpunim të mirë edhe ish-shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Turqisë në Kosovë, Volkan Turk Vural.

Mustafa Sarniç e informoi kryeparlamentarin Berisha se Turqia përkrah Planin e presidentit Ahtisari për Kosovën dhe se shteti i tij mbështet vullnetin e popullit shumicë të Kosovës.

“Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të mira historike, prandaj duhet bërë edhe më shumë në bashkëpunimin ekonomik, kulturor e arsimor ndërmjet dy vendeve”, tha Sarniç.

Në takim u vu theks i rëndësishëm në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe u përmend mundësia e organizimit të një konference me biznesmenët kosovarë e turq në Stamboll, në fillim të vitit të ardhshëm, me qëllim të shikimit të mundësive të investimit të biznesmenëve turq në Kosovë.

Kryeparlamentari Berisha falënderoi shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Turqisë në Kosovë, Mustafa Sarniç, për përkrahjen që po i jep Turqia Pakos së presidentit Ahtisari dhe tha se Kosova do të kërkojë që Turqia të njohë pavarësinë e Kosovës. Kryeparlamentari Berisha po ashtu falënderoi edhe për ndihmën që janë duke dhënë 7.500 pjesëtarët turq të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Kosovë.
Kryeparlamentari Berisha priti shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Turqisë në Kosovë, Mustafa Sarniç