Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti delegacionin e organizatës “ProKosova” nga Zvicra

, 12.09.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot një delegacion të organizatës “ProKosova” nga Zvicra, kryesuar nga Rolf Debrunner, e në të cilin takim morën pjesë edhe: Edwin Ruegg, Felix Jung, Elisabet Towslon, Akenbut Iballi dhe disa aktivistë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Zvicër.

Mysafirët e informuan kryeparlamentarin Berisha se organizata e tyre “ProKosova”, e cila këto ditë ka themeluar edhe degën e saj në Prishtinë, ka për qëllim afirmimin e partneritetit ndërmjet zviceranëve dhe kosovarëve, ngritjen e imazhit të shqiptarëve të Kosovës në Zvicër, si dhe marrjen me problemet e kosovarëve, siç janë: emigrimi, zhvillimi i bizneseve, inkuadrimi sa më i mirë në shoqërinë zvicerane, e të tjera.

Një nga projektet aktuale të kësaj organizate zvicerane është ngritja e një pllake, deri në fund të këtij viti, në qytetin e Cyrihut, me mbishkrimin “Danke Schweiz” (“Faleminderit Zvicër”), në shenj falënderimi të shqiptarëve të Kosovës për të gjitha ato që ka bërë Zvicra në periudhën ndërmjet viteve 1989-1999, pastaj intensifikimi i bashkëpunimit kulturor përmes projektit “Ditët e kulturës zvicerane” në Kosovë, por edhe “Ditët e kulturës kosovare” në Zvicër, e të tjera.

Mysafirët e informuan kryeparlamentarin Berisha se për këto projekte të tyre kanë përkrahjen e autoriteteve zyrtare të Zvicrës dhe sidomos të ministres së Punëve të Jashtme të Zvicrës, Calmy Ray, por edhe të zyrtarëve të qytetit të Cyrihut dhe se kanë ardhur në Kosovë të kërkojnë përkrahje morale, materiale e organizative në mënyrë të realizimit të projekteve të parapara, shumë të rëndësishme edhe për 200.000 shqiptarët që jetojnë e punojnë në Zvicër.

Kryeparlamentari Berisha përgëzoi mysafirët për objektivat që kanë para vetes, falënderoi Zvicrën për gjithë atë që ka bërë për Kosovën dhe për shqiptarët edhe në periudhën para luftës, gjatë luftës, por edhe në këto vite kur Kosova trasoi rrugën përmes institucioneve të veta për t’u bërë shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.

“Kosova ka nevojë për ambasadorë siç jeni ju”, u tha kryeparlamentari Berisha mysafirëve nga Zvicra, duke kërkuar nga ata që ta prezantojnë Kosovën në shtetin e tyre ashtu si është dhe ashtu si e shohin ata vetë.
Kryeparlamentari Berisha priti delegacionin e organizatës “ProKosova” nga Zvicra