Lajmet e fundit

Drejtuesit e Komisionit Legjislativ dhe të atij për Komunitete takuan PSSP-në të OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Znj. Hina Jilani

, 20.09.2007




Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Znj. Hina Jilani është takuar sot në godinën e Kuvendit të Kosovës me kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisionit Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, si dhe të Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, deputetët: Hydajet Hyseni, Rangjel Nojkiq, Sadedin Berisha, Sanie Aliu dhe Mahir Yagcilar.

Zonja Jilani ka theksuar rëndësinë e madhe që OKB-ja u jep lirive dhe të drejtave të njeriut në të gjitha vendet e botës dhe në këtë dritë është interesuar për nivelin e realizimit të drejtave të njeriut në Kosovë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pjesëmarrës në takim, nga këndvështrimi i tyre kanë folur për rezultatet evidente në planin e realizimit të drejtave të njeriut, por kanë theksuar edhe problemet në këtë fushë ndjeshme të jetës shoqërore.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar për domosdonë e përmirësimit të vazhdueshëm të lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë.