Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës

, 20.09.2007




Komisioni i Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale i Kuvendit të Kosovës, të cilin e kryesonte Fatmire Mulhaxha – Kollqaku, kryetare e Komisionit, ka mbajtur sot mbledhje të rregullt, në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte Informacioni nga ana e ministrit për ekonomi dhe financa, z. Haki Shatri, si dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Ibrahim Selmanaj, përkitazi me Projektligjin e Punës.

Në mbledhjen e Komisionit të sipërpërmendur, duke bërë fjalë për implikimet buxhetore përkitazi me këtë Projektligjin, ministri Shatri ka theksuar se sipas përllogaritjeve të Ministrisë për ekonomi dhe financa Ligji i lartpërmendur e ngarkon buxhetin e Kosovës brenda vitit në shumë prej 23 milion eurosh. Me qenë se shuma e lartpërmendur i tejkalon mundësitë e Buxhetit të Kosovës për periudhën 2008-210, ministri Shatri ka theksuar se ky ligj mund të realizohet në tërësi vetëm në vitin 2011, e kurrsesi më parë. Duke u ndërlidhur për mundësitë buxhetore të Kosovës , ministri Shatri, përveç të tjerash ka theksuar që përveç Projektligjit të përmendur ekziston edhe një ligj dhe dy projektligje dhe këto Ligji për Statusin dhe të drejtat e anëtarëve të familjeve dhe dëshmorëve të rënë, invalidëve, veteranëve dhe pjesëmarrësve të UÇK-së si dhe familjeve të viktimave civile të luftës, Projektligji për sigurimin shëndetësor, si dhe Projektligji për sigurimin social, që presin ditë më të mira për realizimin e tyre të plotë për shkak të buxhetit të “varfër” të Kosovës. Ministri Shatri ka theksuar se një vendim i tillë rrjedh edhe nga sugjerimet dhe vërejtjet të cilat janë paraqitur nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore përkitazi me projektligjet e lartpërmendura. Në fund ministri Shatri ka theksuar se deri në muajin e ardhshëm do të mbahet Konferenca e Donatorëve për Kosovë, ku pritet që për periudhën 2008-2010 nga ana e donatorëve për Kosovën të sigurohen 1 miliard e 200 milionë euro.

Në këtë mbledhje, duke folur për të njëjtën temë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Ibrahim Selmanaj, përveç të tjerash ka theksuar që për shkak të mosekzistimit të Ligjit të Punës, kjo ministri në punën e përditshme has në vështirësi të shumta. Duke folur për disa vështirësi të cilat i ka kjo ministri për shkak të mosekzistimit të këtij Ligji, ministri Selmanaj konkretisht ka theksuar se kjo Ministri nuk ka mundësi që të dërgojë në punë sezonale fuqinë e re punëtore mu për shkak të mungesës së këtij Ligji.
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës