Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 25.09.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në një pjesë të së cilës cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca plenare e Kuvendit të Kosovës të mbahet me 27 shtator dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Në fillim të seancës Kabineti qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë, kurse më pastaj do të procedohet me shqyrtimin e projektligjeve (nëntë sish). Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës; ai Për Inspeksionin bujqësor; Projektligji për provimin përfundimtar dhe të maturës, ai Për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës, si dhe Projektligji për statusin, imunitetin dhe privilegjet e misioneve diplomatike, konsullore dhe personelin në Kosovës dhe praninë ushtarake ndërkombëtare, si dhe personelin e saj.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrat e statusit civil; ai Për statusin civil; Projektligji për shoqëritë tregtare, si dhe ai Për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Në po këtë seancë do të shqyrtohet Rekomandimi i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor lidhur me Projektligjin për parqet nacionale.

Projektligji për të dhënat personale, i paraparë për shqyrtim të dytë në këtë seancë, është tërhequr nga Qeveria për riformulim të ndonjë dispozite të tij.

Kryesia sot është marrë edhe një herë me çështjen e Projektligjit për ushqimin, duke kërkuar nga Komisioni për Bujqësi dhe ai për Shëndetësi, si dhe nga Qeveria dhe ministritë përgjegjëse, që në afat prej dy javësh të arrihet pajtimi rreth projektligjit dhe kompetencave ndaj Agjencionit për ushqimin, në mënyrë që ky ligj shumë i rëndësishëm për Kosovën të miratohet para përfundimit të mandatit të kësaj përbërje të Kuvendit.

Kryesia ka shqyrtuar edhe propozimet për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, duke precizuar emërtimin e disa komisioneve, konform përgjegjësive të reja të Qeverisë dhe të institucioneve të tjera të Kosovës, të cilat propozime do të nxirren për votim në ndonjërën nga seancat vijuese të Kuvendit të Kosovës.

Në funksion të mbarëvajtjes së punës së Kuvendit deri në fund të kësaj Legjislature, Kryesia u ka rekomanduar komisioneve parlamentare që të mos planifikojnë udhëtime jashtë vendit.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit