Lajmet e fundit

Përfaqësuesi i SHPK-së raportoi para Komisionit për Siguri

, 26.09.2007




Udhëheqësi i Policisë Kriminale, gjeneralmajori Rrahman Sylejmani, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Komisionit Parlamentar për Siguri, dhe ka raportuar sot para komisionit lidhur me hetimet e deritashme për ndriçimin e shpërthimit të datës 24 shtator, në lagjen e Dardanisë në Prishtinë.

Gjeneralmajor Sylejmani ka sqaruar se për hetimin e rastit është krijuar një grup i veçantë i hetuesve ndërkombëtarë dhe vendorë. “Jemi në disa pista hetimesh, njëkohësisht”, ka thënë udhëheqësi i Policisë Kriminale, i cili është shprehur optimist për finalizimin e tyre, zbardhjen e rastit dhe kapjen e kryesve dhe planifikuesve të këtij shpërthimi me pasoja (dy të vdekur, nëntë të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale).

Anëtarët e Komisionit për siguri kanë shtruar pyetje të shumta për shpërthimin, për atë se a ka SHPK-ja mjetet e nevojshme dhe përgatitje profesionale për ekspertiza të sakta, për bashkëpunimin me policitë e vendeve të rajonit dhe INTERPOL-in, për përkushtimin e policëve të Kosovës për luftimin e krimit etj, të cilave Sylejmani u është përgjigjur me kompetencë, por edhe me rezervën e nevojshme në funksion të mosdëmtimit të hetimit të rastit.

Duke e falënderuar udhëheqësin e Policisë Kriminale për këtë raportim, kryetari i Komisionit për Siguri, Naim Maloku, në emër të komisionit, ka kërkuar angazhimin maksimal të policisë për zbardhjen e shpërthimit në Dardani për interes të sigurisë së qytetarëve, por edhe për shkak të momentit shumë të rëndësishëm në të cilin po kalon Kosova.
Përfaqësuesi i SHPK-së raportoi para Komisionit për Siguri