Lajmet e fundit

Nga takimi i Grupit të Grave Parlamentare me organizime të tjera të grave

, 28.09.2007




Në takimin e organizuar nga Grupi i Grave Parlamentare me bashkëkryesueset Hatixhe Hoxha dhe Gjylshen Berisha, në të cilin merrnin pjesë edhe krytaret e organizatave të grave të partive politike, përfaqësueset e shoqërisë civile, Rrjeti i Gruas Kosovare (KWN), Agjencioni për Barazi Gjinore (IPVQ), FES, NDI, OSBE, u diskutua mbi përkrahjen e grave kandidate në zgjedhjet e Nëntorit.

Gratë politikane shprehën shqetësimin e tyre lidhur me kohën e shkurtër për përgatitjen e fushatës si dhe pamundësinë që të kërkojnë dhe marrin ndihmë për fushatat e tyre zgjedhore. Ato kërkuan nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare përkrahje në procesin e përgatitjes për fushatën zgjedhore, për kontaktin me votues si dhe asistencë për vizibilitet më të madh në media.

Pjesëmarrëset u pajtuan që koordinimi maksimal i të gjitha aktiviteteve dhe i përkrahjes së grave kandidate është shumë i nevojshëm. Gjithashtu, është i nevojshëm fokusimi i aktiviteteve të organizatave në edukimin e grave votuese, me theks të veçantë në viset rurale. U vendos që të sigurohet vizibilitet më i madh për gratë kandidate si dhe të vihen në theks kualifikimet profesionale, eksperienca në politikë dhe aftësitë individuale të tyre.