Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Parlamentit të Landit të Saksonisë së Ulët

, 04.10.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, po sot priti edhe një delegacion shumanëtarësh të Parlamentit të Landit të Saksonisë së Ulët, i kryesuar nga kryetari i Parlamentit, Jürgen Gansäuer.

Duke falënderuar për pritjen zotëri Gansäuer theksoi se edhe këtë vizitë në Kosovë, si shumë të tjera deri më tash, po e bën që të njihet me këto momente vendimtare të Kosovës dhe që të ofrojë ndihmën e tij për këto procese.

Kryeparlamentari Berisha edhe në këtë rast falënderoi për ndihmën e Gjermanisë në proceset për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai paraqiti para delegacionit parlamentar të Landit të Saksonisë së Ulët një pasqyrë të punës që bëhet në Kuvendin e Kosovës dhe përgjithësisht të proceseve aktuale në Kosovë.

Duke u përqendruar në ndihmën e Gjermanisë në proceset për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Berisha ka theksuar se pala kosovare ka ofruar maksimumin e kontributit dhe ka bërë kompromiset e duhura në negociatat për statusin. Bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë jemi duke pritur zgjidhjen e merituar për popullin e Kosovës, ka thënë Berisha, i cili edhe në këtë takim ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta shtojë trysninë mbi Serbinë, e cila nuk ka lëvizur nga qëndrimet fillestare.

Kryetari i Parlamentit të Saksonisë së Ulët, Jürgen Gansäuer ka shprehur bindjen e tij se populli i Kosovës, në këto momente vendimtare, pavarësinë e vendit duhet ta presë me qetësi dhe durim. Ai ndërkaq, ka mbështetur përgatitjet që bëhen në Kuvendin e Kosovës rreth Pakos së Ahtisarit.

Kryeparlamentari i Saksonisë së Ulët, Gansäuer, e ka ftuar kreun e legjislativit të Kosovës, në një vizitë në Parlamentin e këtij Landi në Hanover, të cilën Berisha e ka pranuar me kënaqësi.
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Parlamentit të Landit të  Saksonisë së Ulët