Lajmet e fundit
Deklaratë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë
, 05.10.2007
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë dha një deklaratë në të cilën thuhet:
“Mendoj se në Kosovë nuk do të ketë më luftë. Kosovës, për momentin, nuk i kërcënohet ndonjë rrezik nga jashtë. Por, edhe nëse ndodh kjo, në Kosovë kemi një ushtri të specializuar dhe të pajisur me arsenalin më të nevojshëm ushtarak – KFOR-in, si pjesë e fuqisë më të madhe ushtarake në botë, e cila është këtu për ta mbrojtur Kosovën dhe popullin e saj. Në Kosovë kemi edhe mekanizma të tjerë mbrojtës: SHPK-në, TMK-në, Policinë e UNMIK-ut. Prandaj, çfarëdo përpjekje tjetër për organizime ushtarake, tani është e panevojshme dhe mund t’i dëmtojë proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Nuk guxojmë të provokohemi nga ata që nga jashtë kërcënojnë me provokime në Kosovë, që e presin me padurim një shpërthim të situatës në Kosovë, pikërisht në këto momente vendimtare për Kosovën.
Të mos biem pre e atyre që dëshirojnë një shpërthim të gjendjes në Kosovë, që të përmbyset çdo gjë që është ndërtuar deri më tash në Kosovë për ta fajësuar popullin e saj shumicë. Të mos biem në grackat e atyre që i kurdisin ato. Në këto momente vendimtare nëpër të cilat po kalon Kosova dhe populli i saj, na duhet një maturi dhe një pjekuri e madhe për ruajtjen e paqes, të qetësisë dhe të stabilitetit në Kosovë”.