Lajmet e fundit

Komunikatë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha

, 08.10.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, lëshoi sot një komunikatë për shtyp lidhur me përfoljet për keqpërdorime në dy tenderë të shpallur nga administrata e Kuvendit të Kosovës. Në deklaratë thuhet:

“Duke u nisur nga përfoljet jashtë Kuvendit të Kosovës, por edhe brenda vetë organit më të lartë legjislativ të vendit, jam angazhuar personalisht për zbardhjen e rasteve devijante dhe të përfolura ditëve të fundit lidhur me dy tenderë të Kuvendit të Kosovës: për rinovimin e kulmit të ndërtesës së Kuvendit, si dhe për furnizimin me pajisje të teknologjisë informative-kompjuterike, UPS dhe printerë për legjislativin.

Edhe për tenderin e parë, por edhe për të dytin, janë grumbulluar të dhëna nga persona që kanë qenë të kyçur në cilësi të ndryshme në këta dy tenderë.

Kam shikuar dokumentacionin që kam pasur në dispozicion dhe jam informuar se në tenderin për rinovimin e kulmit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kanë konkurruar gjashtë kompani. Në njoftimin për dhënien e tenderit për rinovimin e kulmit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gazetë ka dalë se kryerja e punëve i jepet një kompanie dhe në po atë njoftim përmendet shifra që nuk korrespondon me asnjërin nga çmimet e asnjë ofertuesi pjesëmarrës në tender, pra as të asaj që i është besuar kryerja e punëve.

Sa i përket tenderit të dytë, që ka të bëjë me furnizimin e Kuvendit të Kosovës me pajisje të teknologjisë informative-kompjuterike, UPS dhe printerë, del se një anëtar komisioni, zyrtar i Kuvendit, nuk ka qenë fare i pranishëm në hapjen e ofertave për tender, ndërsa atij më vonë i është falsifikuar nënshkrimi për të plotësuar kriterin që në hapje të ofertave të jenë tre anëtarë komisioni.

Nisur nga kjo, kam urdhëruar sekretarin e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrë masa të menjëhershme adekuate ndaj përgjegjësve të përfshirë në këto keqpërdorime lidhur me dy tenderët e fundit në Kuvendin e Kosovës”.

Prishtinë, 8 tetor 2007