Lajmet e fundit

Anëtarët e Kryesisë pritën ambasadorin spanjoll në Beograd, Jose Riera Siquier

, 09.10.2007




Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Sabri Hammiti, Xhavit Haliti, Ramë Buja, Gazmend Muhaxheri dhe Bislim Hoti kanë pritur sot ambasadorin spanjoll në Beograd, Jose Riera Siquier, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë, në kontekstin e procesit për përcaktimin e statusit, të mbajtjes së zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe të gjendjes së sigurisë tash dhe pas përfundimit të bisedimeve shtesë, më 10 dhjetor.

Duke e përshëndetur diplomatin spanjoll, anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, ka theksuar punën me intensitet që bën Kuvendi i Kosovës, deri dy ditë para zgjedhjeve të 17 nëntorit, për të plotësuar orarin e miratimit të ligjeve dhe, sidomos, të mos ketë vakum institucional në Kosovë. “Zgjedhjet kemi vendosur t’i mbajmë për hir të forcimit të rendit demokratik, por ato edhe mund të mos i mbajmë fare nëse në çfarëdo mënyre ato e lëndojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës, i cili duhet të jetë vetëm pavarësi për vendin, ka sqaruar Hamiti.

Kuvendi e ka pranuar planin e Ahtisarit me kusht që ai të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe vetëm si i tillë mund të zbatohet në Kosovë, është shprehur i prerë ai, duke pohuar se vetëm asisoji i hapet rrugë edhe misionit të BE-së në Kosovë. Ndryshe nuk ka shans, ka thënë Hamiti, i cili pavarësinë e vendit e ka quajtur kusht ekzistencial të vetëvendosjes së popullit të Kosovës.

Në interesimin e diplomati spanjoll për gjendjen e sigurisë tash dhe në perspektivë, pash 10 dhjetorit, anëtari tjetër i Kryesisë Xhavit Haliti, është shprehur i bindur se forcat e sigurisë në Kosovë kanë kapacitete ta mbajnë nën kontroll gjendjen, dhe e ka garantuar mysafirin se pjesëtarët NATO-s kanë kredibilitet të lartë në Kosovë. Por, nëse statusi zvarritet pas 10 dhjetorit, mund të priten tensione në rajon dhe mund të shtohet pakënaqësia e qytetarëve, e shoqëruar edhe me protesta në Kosovë, ka thënë ai.

Pyetjes së diplomatit spanjoll për gjasat që pas zgjedhjeve serbët dhe minoritet e tjera të marrin pjesë në Qeverinë e re të Kosovës, Sabri Hamiti, i është përgjigjur që zgjedhjet mbahen sipas Kornizës Kushtetuese e cila rezervon 20 vende për minoritetet (10 për serbët), kurse duke dalë në zgjedhje shtohet numri i deputetëve serbë dhe shtohet legjitimiteti i tyre përfaqësues. Duke u bërë ftesë serbëve të dalin në zgjedhje dhe të mos e pranojnë rolin e monedhës politike të Beogradit, ai ka pohuar se janë paraparë edhe vende të garantuara për minoritetet edhe në ekzekutivin e vendit.

Anëtari i Kryesisë Bislim, i cili përfaqëson minoritetin egjiptian, ka pohuar se të gjitha minoritetet mund të lëvizin lirisht në gjithë territorin e Kosovës dhe se të gjitha ato, pos serbëve, e ëndërrojnë dhe angazhohen për pavarësinë e Kosovës. Hoti është shprehur i prerë se pavarësia r Kosovës duhej njohur që më 1999.

Ambasadori spanjoll në Beograd, Jose Riera Siquier, është shprehur se vendi i tij parapëlqen një zgjidhje të negociueshme nga të dyja palët dhe se si vend i BE-së është shumë i interesuar për zhvillime pozitive në këtë pjesë të Evropës.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës i kanë thënë diplomatit spanjoll se populli dhe institucionet e Kosovës presin nga Spanja të mbajnë qëndrim unik me vendet tjera të BE-së për pavarësinë e Kosovës.

Anëtarët e Kryesisë pritën ambasadorin spanjoll në Beograd,  Jose Riera Siquier