Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 11.10.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në një pjesë të së cilës merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca plenare e Kuvendit të Kosovës të mbahet me 18 tetor dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Në fillim të seancës Kabineti qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë.

Në vazhdim do të procedohet me shqyrtimin e parë të Projektligji për mbrojtjen e mjedisit, dhe të amendamenteve në Rregulloren e Punës të Kuvendit.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen edhe rekomandimet e komisioneve parlamentare për vërejtjet e UNMIK-ut në disa ligje të miratuara nga Kuvendi, kurse shqyrtimi i disa rekomandimeve të tjera të komisioneve janë shtyrë për më vonë, siç është shtyrë edhe kërkesa e Grupit Parlamentar për Integrim për ta ftuar në interpelancë ministrin e Arsimit, Agim Veliu.

Kryesia, ndërkaq, ka tumirë propozimin e anëtarit të saj¸ Gazmend Muhaxheri për hartimin e Rregullores për të drejtat dhe përgjegjësitë e stafit politik të Kuvendit dhe për lirimin e zyrave të ndërtesës së Kuvendit nga ana e dy ministrive dhe personelit të shtyllës IV të UNMIK-ut.

Po në këtë mbledhje është vendosur që deputetëve t’u shpërndahet Informata e Ministrisë së Punëve të Brendshme për gjendjen e sigurisë në Mitrovicë.

Duke e shqyrtuar çështjen e dy tenderëve të fundit në Kuvend (për pajisje me teknologjinë informative dhe për renovimin i kulmit të godinës së Kuvendit), Kryesia ka kërkuar që saktësohet përgjegjësia dhe të merren masa adekuate disiplinore ndaj shkelësve të procedurave në dy tenderët, madje ka pasur kërkesë që të krijohet edhe një komision disiplinor për t’i hetuar rastet.

Kryesia u informua se shef i radhës i Grupit Parlamentar për Integrim (sipas marrëveshjes së vetë grupit) do të jetë Gjergj Dedaj.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit