Lajmet e fundit

Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Arsim...

, 16.10.2007




Projektligji për Provimin Përfundimtar dhe të Maturës, i cili tashmë ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, është hartuar nga një rreth i gjerë ekspertësh dhe është bazuar në zgjidhje bashkëkohore të shteteve të ndryshme evropiane. Megjithatë, ky projektligj ka ndonjë paqartësi dhe ende mund të plotësohet për të qenë sa më koherent me ligjet më të avancuara në këtë fushë. Ky ishte motiv për të organizuar një dëgjim publik lidhur me këtë projektligj nga ana e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport të Kuvendit të Kosovës , i kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit. Ftesës për këtë dëgjim publik iu kishin përgjigjur sponzoruesit dhe disa ekspertë që kishin punuar në këtë projektligj, por jo edhe drejtorët e drejtorateve të arsimit të komunave.

Pjesa më e madhe e debatit sillej në temën: a janë të obliguara universitetet , në radhë të parë ato publike, për të pranuar të gjitha ata studentë që kryejnë maturën dhe si do të bëhet zgjedhja e kandidatëve me rastin e pranimit, nëse ata kanë rezultate të njëjta në provimin e maturës. Përgjigjja ishte se kandidatët që kryejnë maturën fitojnë të drejtën për regjistrim në fakultet, por fakultetet , si ato publike, ashtu edhe ato private, përcaktojnë kriteret e pranimit të tyre, mirëpo universitetet nuk organizojnë provime pranuese. Rangimi i studentëve do të bëhet në bazë të rezultateve të arritura në provimin e maturës, përkatësisht kritereve të universiteteve, që gjithnjë do të mbështeten në rezultatet e dijes, pra edhe të rezultateve të tjera të arritura gjatë shkollimit deri në provimin e maturës. Në këtë frymë kuotat e numrit të studentëve të rinj në fakultete do të përcaktohen në bazë të rezultateve që kandidatët tregojnë në provimin e maturës. Në rastin ideal, kur konkurruesit kanë rezultate të veçanta, por tejkalojnë numrin e kërkuar nga universitetet, atëherë shoqëria duhet të bëjë përpjekje që të gjitha atyre t’ iu sigurojë vende për studime.
Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për  Arsim...