Lajmet e fundit
Dëgjimi Publik organizuar nga Komisioni për Shërbime Publike... sërish nuk u mbajt
, 17.10.2007
Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media, kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare e Komisionit, kishte organizuar sot, për të dytën herë, dëgjimin publik që kishte për temë bosht autonominë institucionale dhe pavarësinë editoriale të RTK-së. Por, ashtu si edhe herën e parë, as sot askush nga udhëheqja e Radio Televizionit të Kosovës, të cilët pritej që të informonin Komisionin dhe pjesëmarrësit tjerë lidhur me temën e shtruar, nuk erdhën në dëgjim publik. Madje, si tha Nekibe Kelmendi, derisa herën e parë ata kishin dërguar një letër nëpërmjet së cilës njoftonin se nuk kanë pasur mundësi, për shkak të kohës së shkurtër, të përgatiten për dëgjimin publik, për dëgjimin e dytë nuk e kishin parë të arsyeshme të japin kurrfarë përgjigje. Për dallim nga hera e parë, në këtë dëgjim publik vërehej pjesëmarrje shumë më e vogël edhe e të ftuarve të tjerë. Në këto rrethana dëgjimi publik s’ kishte si të mbahej.