Lajmet e fundit
Fjala e Sabri Hamitit në Konferencën Rajonale Parlamentare për Mjedisin
, 19.10.2007
Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamitit, në fjalën e tij përshëndetëse në Konferencën Rajonale Parlamentare për Mjedisin që po mbahet në Prishtinë, ka thënë:
I nderuari z. Lammanen,
Të nderuar deputetë nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Bosnja e Kroacia,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës,
Kam kënaqësinë e nderin të ju shpreh mirëseardhje në Kosovë, duke qenë i kënaqur që Parlamenti i Kosovës, në bashkëpunim me OSBE-në, organizon këtë Konferencë Regjionale Parlamentare.
Parlamenti i Kosovës, si organi më i lartë përfaqësues, po zhvillohet në Kuvend demokratik me procedura dhe me funksion: duke hartuar ligje e duke përcjellë zbatimin e tyre.
Parlamenti i Kosovës, si gjithë shoqëria, tashti është para dy sprovave të mëdha, zgjedhjeve kombëtare e lokale dhe definimit të statusit politik të Kosovës, në bazë të vullnetit të qytetarëve.
Kosova e pavarur e demokratike tanimë është çështje ekzistenciale për qytetarët e Kosovës, dhe krijuese e stabilitetit në rajon e më gjerë. Kosova e shqiptarët dhe qytetarët e saj gjeografikisht, historikisht e kulturalisht janë evropiane dhe dëshirojnë të bëhen evropianë dhe politikisht nëpërmjet integrimeve e standardeve evropiane.
Konferenca që po fillon, pos rëndësisë që ka për trajtimin e problemit mjedisor (ambiental), ka edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar në rajon.
Të nderuar të pranishëm,
Kuvendi i Kosovës, duke pasur një konsensus të plotë për çështjet mjedisore, ka aprovuar një mori ligjesh për ambientin, duke pasur parasysh rrethanat e vendit e standardet evropiane. Çështja është si të zbatohen ligjet në vendin e rrënuar e të dërrmuar nga lufta.
Çështja e ambientit është çështje e jetës dhe ka dimensionet konkrete e universale, në këtë vështrim i shohim me dobi të madhe observimet dhe përvojat që do të shpalohen këtu për dy ditë punë.
Toka, uji e ajri, ashtu si edhe liria, janë për të gjithë dhe, duke ruajtur këto, ruhet ambienti i shoqërisë humane. Këto nuk janë çështje vetëm për përfaqësuesit, por për të gjithë qytetarët.
Duke ju përshëndetur edhe një herë, në emër të Kuvendit të Kosovës, ju dëshiroj qëndrim të këndshëm në Kosovë, ju dëshiroj sukses në Konferencë dhe ju lë kohën që të shfaqni idetë dhe përvojat tuaja.
Prishtinë, 19 tetor 2007