Lajmet e fundit

Komisioni Legjislativ shqyrtoi rrjedhat aktuale ne gjyqësinë e Kosovës

, 22.10.2007




Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Hydajet Hyseni, kryetar, shqyrtoi rrjedhat aktuale në gjyqësinë e Kosovës, kurse për të ta njoftuar komisionin për gjendjen në gjyqësinë e vendit, me theks të veçantë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, ishin ftuar autoritete të Këshillit Gjyqësor Prokurorial të Kosovës.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor Prokuroria të Kosovës, Rexhep Haxhimusa, i cili është edhe kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, duke theksuar synimet për krijimin e një gjyqësori të pavarur dhe efikas, të aftë për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriu, ka theksuar edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen gjykatat e të gjitha niveleve në Kosovë. Numri i lëndëve nëpër gjykata po shtohet, ka thënë Haxhimusa, i cili ka pohuar se me gjithë efikasitetin e gjyqtarëve, për shkak të numrit të vogël të tyre, nuk mund të pritet zhuritet i duhur për zgjidhjen dhe ekzekutimin e lëndëve. Ai ka pohuar edhe nivelin e ulët të pagesave të punonjësve të gjykatave, që sillen prej 120 deri në 560 euro, duke theksuar se kjo ka qenë edhe arsyeja pse punonjësit e administratave të gjykatave të Kosovës kanë filluar grevën e punës. Është jodinjitoze që bashkëpunëtorët profesionalë të paguhen vetëm 192 euro, ka tërhequr vëmendjen kryetari i KGJPK-së. Ai ka theksuar se për mungesë ligjeve përkatëse nuk është lejuar as hartimi i Rregullores për organizim të brendshëm të gjykatave tona, ndërkaq, ka shprehur habinë pse është zvarritur miratimi i Ligjit për Gjykatat dhe Ligjit për prokuroritë që do të venin rend dhe rregull në institucionet gjyqësore të Kosovës, si dhe Ligji për noterinë, që do të lehtësonte shumë punën e këtyre institucioneve.

Udhëheqësi i Departamentit të statistikës në KGJPK-së, Naser Hasani, në prezantimin e raportit statistikor për punën e gjykatave të rregullta ka theksuar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë qenë 291923 lëndë nëpër këto gjykata (shumica të bartura nga vitet e mëparshme), nga të cilat janë zgjidhur 1270063 lëndë. Për efikasitetin gjykatave të qarkut, Hasani ka dalluar Gjykatën e Qarkut në Prizren me 11 për qind të lëndëve të zgjidhura më shumë se ato të pranuara, kurse sa i përket efikasitetit gjyqtarëve, në raport me lëndët e pranuara, ka vlerësuar ata të Gjykatës Ekonomike me 121.89 për qind. Ai pastaj ka prezantuar pasqyra të llojeve të ndryshme të krimeve në Kosovës, përfshirë edhe krimin e organizuar.

Anëtarët e Komisionit Legjislativ e kanë lavdëruar raportin për gjendjen në gjyqësinë e Kosovës, po kanë shtruar edhe pyetje të shumta për gjendjen në institucionet gjyqësore të Kosovës. Duke u përgjigjur në njërën nga ato, lidhur me nivelin e korrupsionit në Kosovës dhe për gjasat e infektimit me këtë “virus” të ndarësve të drejtësisë në Kosovë, kryetari i KGJPK-së, Haxhimusa, ka theksuar se korrupsion gjithsesi ka, por se gjykatat të vetme nuk mund ta shërojnë këtë plagë të shoqërisë. Ai ka pohuar se janë evidentuar katër raste të korruptimit të gjyqtarëve, ndaj të cilëve është hapur procedura e hetime.

Kryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni duke i falënderuar për pjesëmarrje në këtë takim është angazhuar për profesionalizmin e gjykatave dhe pavarësinë e pushtetit të tretë (gjyqësorit,) për procedim sa më të shpejtë të Ligjit për lustrimin (për hetim e biografive dhe të veprimtarisë së personave që konkurrojnë në poste të rëndësishme të vendit), por edhe zbatimin e institucionit të amnistisë për kategori të ndryshme të të dënuarve, e cila nuk është praktikuar në gjithë kohën e pasluftës.
Komisioni Legjislativ shqyrtoi rrjedhat aktuale ne gjyqësinë e Kosovës