Lajmet e fundit

Dëgjim publik organizuar nga Komisioni Parlamentar për Siguri

, 23.10.2007




Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i Komisionit, organizoi një dëgjim publik me Agjncionin Antikorrupcion të Kosovës. Në fillim të dëgjimit, Hasan Preteni, drejtor i këtij agjencioni prezantoi një pasqyrë të gjerë të fushë veprimtarisë së këtij institucioni, i themeluar nga ana e Kuvendit të Kosovës,duke u ndalur posaçërisht në strukturën e tij, përpjekjet për funksionalizimin e mëtejmë dhe problemet e sfidat me të cilat ballafaqohet. Në raportin e Pretenit u prekën çështje të aktivitetit të këtij agjencioni, rastet e paraqitura në periudhën janar- tetor 2007, aktivitetet rreth legjislacionit, mbikëqyrja e pasurisë, parandalimi dhe eliminimi i shkaqeve të korrupsionit, trajnimet, bashkëpunimi me institucionet etj. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe problemeve buxhetore me të cilat ballafaqohet ky institucion, rrethana këto që reflektohen veçanërisht në paga të ulëta dhe në pamundësinë për angazhimin e ekspertëve dhe zyrtarëve me përvojë. Ndër veprimet administrative që ndërmerr ky agjencion dominojnë problemet me tenderët. Preteni u angazhua për një bashkëpunim më të madh me institucionet, sidomos kur është fjala për informacion kthyes. Në këtë vështrim ai përmendi gjyqësinë dhe prokurorinë.

Anëtarët e Komisionit dhanë vlerësime të larta për Raportin e paraqitur nga Preteni, duke e vlerësuar atë si shumë përmbajtësor e profesional. Në pyetjen se a ballafaqohet ky institucion me presione nga zyrtarët , Preteni tha se në praktikën e deritashme nuk ka pasur presione e kërcënime.
Dëgjim publik organizuar nga Komisioni Parlamentar për Siguri