Lajmet e fundit

Kryeparalmentari Berisha priti shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Gjermanisë, Karl Wokalek

, 26.10.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti në një takim njohës shefin e ri të Zyrës Gjermmane në Prishtinë, Karl Wokalek.

Kryeparlamentari Berisha gjatë këtij takimi paraqiti një pasqyrë të zhvillimeve aktuale në Kosovë me fokus të veçantë në punën e Kuvendit të Kosovës dhe rolin e angazhimet në aspektin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Kosova, tha ai, gjatë tërë procesit ka treguar kooperativitet e interesim serioz për të gjetur zgjidhje duke ofruar edhe kompromise jo të lehta . Miratimi i Planit të Ahtisarit është kompromisi i madh dhe dëshmi e vullnetit dhe gatishmërisë për zgjidhje. Kryetari i Kuvendit përmendi edhe momentet e tjera të vullnetit të mirë për zgjidhje , duke theksuar përcaktimin për vizion modern me besim në ardhmëri që është në interes të paqes dhe stabilitetit e të zhvillimit të rajonit. Ai shprehu keqardhje që Serbia në procesin e bisedimeve nuk po përgjigjet me sensin e dialogut e të kompromisit.

Diplomati gjerman Wokalek u shpreh me optimizëm se bisedimet, të cilat janë duke u zhvilluar deri më dhjetë dhjetor, do të sjellin rezultatin e pritur. Gjatë kësaj kohe , deri më dhjetë dhjetor, tha ai, të gjitha palët duhet të angazhohen me përqendrim e seriozitet në çështjet thelbësore. Z. Wokalek u shpreh i bindur për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit. Në këtë pikë, tha ai, jemi duke punuar me shumë përkushtim.

Z. Wokalek theksoi se përshtypjet e para nga takimet dhe vizitat që ka bërë këto ditë, që nga ardhja e tij në Kosovë, ia kanë forcuar bindjen për të shikuar me optimizëm të ardhmen e Kosovës, si në aspektin politik edhe në atë ekonomik dhe zhvillimor.

Kryeparlamentari Berisha theksoi se Kosova ka resurset e veta jo vetëm bujqësore por edhe në fushat e tjera, të cilat mundësojnë zhvillim dhe ekonomi të qëndrueshme. Ai përsëriti thirrjen për investime dhe prani ekonomike edhe më aktive të Gjermanisë dhe të vendeve të tjera, sepse ka kushte, ka siguri për investime dhe kjo është në interes të Kosovës por edhe të integrimeve ekonomike rajonale, ka spikatur Berisha.
Kryeparalmentari Berisha priti shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Gjermanisë, Karl Wokalek