Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker

, 12.11.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti në një takim të rregullt pune kryeadministratorin e Kosovës , z. Joakim Ryker. Vëmendja kryesore në këtë takim iu kushtua proceseve aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në përpjekjet që po bëjnë institucionet e Kosovës së bashku me bashkësinë ndërkombëtare për definimin e statusit të Kosovës, por edhe për ecurinë deritashme të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale që do të mbahen më 17 nëntor.

Kryetari i Kuvendit konstatoi se fushata parazgjedhore po rrjedh sipas parashikimeve dhe synimeve, që të jetë e qetë e demokratike me një pjesëmarrje ta lartëë. Ai shprehu bindjen se qytetarët e Kosovës, si edhe herave të tjera, do të tregojnë emancipim e pjekuri politike dhe do të bëjnë gjestin e lartë patriotik duke marrë pjesë masivisht në zgjedhjet e 17 nëntorit.

Kryeparlamentari Berisha theksoi se Kuvendi i Kosovës , në bazë të dispozitave të Rregullores, në këto rrethana po kryen pjesën e vet të obligimeve. Aplikimi i dispozitave që mundësojnë punën e Kuvendit edhe gjatë fushatës nga ana e z.Ryker u vlerësua si veprim i duhur dhe i dobishëm.

Kryeparlamentari Berisha shtroi në këtë takim edhe çështjen e përshpejtimit të shpalljes së ligjeve të cilat janë miratuar nga Kuvendi , (37 ligje) dhe lidhur me këtë çështje mori përgjigje pozitive. Në këtë frymë u vendos që së shpejti të organizohet edhe një takim tjetër i fokusuar vetëm në këtë çështje.

Kryeadministratori Ryker po ashtu vlerësoi lart edhe përgatitjet për zgjedhje,por edhe fushatën e deritashme dhe shprehu bindjen se Kosova edhe këtë herë do të organizojë zgjedhje të tilla,të cilat mund të shërbejnë si model i organizimit të mirë dhe mbarëvajtjes së tyre. Me vëmendje e përpjekje të shtuara, tha z.Ryker, po angazhohemi për pjesëmarrje të komunitetit serb në këto zgjedhje, duke evituar çdo pengesë eventuale. Ai vlerësoi lart edhe interesimin e popullatës shumicë e cila ka ftuar dhe fton komunitetet minoritare që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të bëhen pjesë e proceseve demokratike në Kosovë.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan me optimizëm se edhe në ditët në vazhdim, deri në ditën e zgjedhjeve, çdo gjë do të shkojë në rregull dhe me kohë do të bëhet konstituimi i organeve në bazë të rezultatit të votimeve. Nëse do të jetë e nevojshme , tha z. Ryker, edhe pas datës 2 dhjetor mund të bëjmë vazhdimin e mandatit të Kuvendit të Kosovës, deri në konstituimin e Kuvendit të ri, në mënyrë që të mos lejohet vakum institucional në Kosovë.
Kryeparlamentari Berisha priti shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker