Lajmet e fundit

Rritet transparenca në Kuvendin e Kosovës

, 19.11.2007




Falë bashkëpunimit të ngushtë me organizatat e specializuara joqeveritare ndërkombëtare që veprojë në Kosovë, siç janë USAID-i, UNDP-ja, Konsorciumi i katër parlamenteve evropiane (Asambleja Nacionale Franceze, Bundestagu gjerman, Parlamenti slloven dhe Parlamenti belg), përmes projektit “Mbështetje Kuvendit të Kosovës”, e në veçanti falë ndihmës së pakursyer dhe të përhershme të NDI-së, me qëllim të demokratizimit të jetës dhe të punës në legjislativin e vendit, reformat e filluara vetëm pak ditë pas ndryshimeve të bëra në këtë institucion në mars të vitit 2006, po vazhdojnë ta pasurojë dhe ta demokratizojnë jetën dhe punën edhe tani, në përfundim të mandatit të kësaj legjislature. Pas fazës së parë të aplikimit të reformave, të cilave u parapriu miratimi unanim në seancën plenare të 1 qershorit të vitit 2006 i ndryshimeve dhe plotësimeve të Rregullores së punës së Kuvendit, që zyrtarizuan institucionin e pyetjeve parlamentare, interpelancës, etj., si forma mjaft efikase për mbikëqyrjen e Qeverisë dhe rritjen e shkallës së transparencës, këto ditë, duke synuar realizimin edhe të fazës së dytë të këtyre reformave, udhëheqja e Kuvendit ka përgatitur dhe ua ka shpërndarë deputetëve Kalendarin mujor të punës së Kuvendit të Kosovës. Përmes këtij kalendari të punës, deputeti, paraprakisht, do të ketë mundësi të njihet me çështjet, të cilat, Kryesia e Kuvendit, bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, në propozim të stafit administrativ dhe të komisioneve, përgatitë dhe përcakton rendin e ditës, bashkë me pikat standarde të caktuara paraprakisht për seancën plenare të radhës. Në këtë kontekst, sipas këtij kalendari, deputetit të Kuvendit të Kosovës, i ofrohet një pasqyrë e qartë se cilat pyetje të deputetëve për Qeverinë janë të bartura nga seanca paraprake (bashkë me datën e dorëzimit në Zyrën për parashtresa), cilat pyetje të deputetëve për Qeverinë kanë arritur ndërmjet dy seancave plenare dhe cilat pyetje do të botohen në Buletinin e Kuvendit, pasi në dy seanca rresht nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria, përkatësisht nga ministritë të cilave u janë drejtuar. E njëjta gjë vlen edhe për pyetjet të cilat kërkojnë përgjigje me shkrim. Kjo “normë” e re është një lehtësi edhe për vetë Qeverinë. Po ashtu, Kalendari jep pasqyrën e qartë të projektligjeve të dorëzuara në Kuvend, jep emrin e projektligjit, propozuesin, datën e pranimit, datën e shpërndarjes dhe shqyrtimin e parë. Pastaj, jep pasqyrën e projektligjeve në shqyrtim nga komisionet parlamentare, emërtimin e projektligjit, propozuesin, datën e pranimit, datën e shpërndarjes, shqyrtimin e parë dhe emërtimin e komisionit funksional. Në Kalendarin e punës përfshihen edhe punët e komisioneve veç e veç dhe raportet e tyre dërguar Kuvendit, bashkë me datën e dorëzimit të raporteve. Gjithashtu, në Kalendar jepen edhe mocionet nga deputetët dhe nga grupet parlamentare, emërtimi i çështjes, kërkuesi i mocionit, dega e ekzekutivit që mbulon çështjen, data e parashtrimit të mocionit si dhe data e zhvillimit të debatit.

Duke u bazuar në përvojat e parlamenteve më demokratike në botë, çështja e publikimit të Kalendarit të punës është iniciuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të vitit 2007.

Kjo ndodhi falë ndihmës së Institutit Demokratik Kombëtar (NDI). Në kudër të programit të NDI-së për mbështetje Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me zyrën e Kryetarit të Kuvendit dhe me Sekretarinë e Kuvendit, u përpilua një version i kalendarit të punës në fillim të vitit 2007. Në rastin e përpilimit të Kalendarit të punës së Kuvendit të Kosovës u mor përvoja e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Anglisë. Dhe, ky hap i ndërmarrë, që në fillim u cilësua si rritje e efikasitetit të punës. Puna e mëpastajme e dëshmoi këtë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, duke ditur peshën dhe rëndësinë e madhe të Kalendarit të punës së Kuvendit të Kosovës për rritjen e efikasitetit të punës, si ithtar i dëshmuar që nga fillimi për transparencën e organit më të lartë ligjvënës të vendit, kërkoi pastaj ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës. Dhe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës e miratoi në parim propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së punës. Ndërsa, në seancën plenare të datës 12 korrik 2007, edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim këtë propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës. Versioni i fundit i propozimit me amendamente për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së punës, u shqyrtua në seancën plenare të datës 18 tetor 2007. Në këtë seancë, deputetët e Kuvendit të Kosovës zyrtarizuan krijimin dhe publikimin e Kalendarit të punës së Kuvendit të Kosovës për çdo ditë pune në versionin elektronik, ndërsa në versionin e shtypur në letër para secilës seancë plenare. Sekretaria e Kuvendit ka përgatitur kalendarin e punës dhe ua ka shpërndarë deputetëve gjatë seancës plenare të datës 30 tetor 2007.

Në Kuvendin e Kosovës vlerësohet se publikimi i rregullt i Kalendarit të punës së Kuvendit të Kosovës do t’u mundësojnë deputetëve dhe grupeve parlamentare të jenë më efikas në punën e tyre, por do t’u mundësojnë edhe mediave dhe publikut të gjerë që të monitorojnë dhe të vlerësojnë punën e Kuvendit të Kosovës, pra që vazhdimisht të informohen në lidhje me çështjet që shqyrtohen ose që presin të shqyrtohen në Kuvend. Kjo, praktikisht, shënon hapin më të madh drejt rritjes së nivelit të transparencës në Kuvendin e Kosovës.

Progresi i arritur në Kuvendin e Kosovës është evidencuar gjatë vitit 2006 edhe në raportet e Sekretarit të atëhershëm të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, por ky progres evidencohet edhe në raportet e fundit të publikuara nga Zyra e Komisionit Evropian dhe UNDP-ja. Raportet e publikuara të këtyre dy institucioneve ndërkombëtare për situatën e përgjithshme në vend dëshmojnë për ngritje të besueshmërisë së qytetarëve në institucionin e Kuvendit të Kosovës.