Lajmet e fundit

Në Kuvend u përurua ambienti për gazetarë

, 19.11.2007




Në funksion të përmirësimit të kushteve për gazetarët, të cilët e ndjekin punën e Kuvendit të Kosovës, por edhe në atë të shtimit të transparencës së legjislativit të vendit, sot në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës është përuruar ambienti për gazetarë. në të cilin pos kompjuterëve, në funksion të përhershëm të raportimit të gazetarëve, janë edhe interneti dhe linjat telefonike.

Në këtë ambient do të jepen prononcime të deputetëve dhe të udhëheqësve të Kuvendit, si dhe do të mbahen konferenca me gazetarë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me këtë rast ka folur për suksesin e reformave në Kuvend dhe shtimin e transparencës në legjislativin e vendit, duke përqendruar në orarin e aktiviteteve në Kuvend (mbledhjet e Kryesisë, seancat plenare, mbledhjet e komisioneve, proceduarat legjislative...) dhe kontrollin e Qeverisë nëpërmjet të interpelancave, pyetjeve parlamentare dhe mocioneve të ndryshme të grupeve parlamentare dhe të grupeve të deputetëve.

Progresi i arritur në Kuvendin e Kosovës është evidencuar gjatë vitit 2006 edhe në raportet e Sekretarit të atëhershëm të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, por ky progres evidencohet edhe në raportet e fundit të publikuara nga Zyra e Komisionit Evropian dhe UNDP-ja. Raportet e publikuara të këtyre dy institucioneve ndërkombëtare për situatën e përgjithshme në vend dëshmojnë për ngritje të besueshmërisë së qytetarëve në institucionin e Kuvendit të Kosovës, u ka thënë Berisha gazetarëve.

Për ta shënuar këtë ngjarje në Kuvend është shtruar edhe një koktej rasti për gazetarë, xhirues dhe fotoreporterë.
Në Kuvend u përurua ambienti për gazetarë