Lajmet e fundit

Urim i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me rastin e 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit

, 26.11.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me rastin e 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit uron të gjithë shqiptarët kudo që janë, me përgëzimet më të sinqerta për këtë festë madhore të kombit tonë.

Në urimin e kryeparlamentarit Berisha thuhet: ” Me rastin e 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, uroj të gjithë shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe kudo që ndodhen me përgëzimet më të sinqerta për këtë festë madhore të kombit tonë.

28 Nëntori i sivjetmë po na gjen më të bashkuar se kurrë më parë në udhën drejt Pavarësisë së Kosovës dhe të inkuadrimit të shqiptarëve në familjen e madhe evropiane, të cilës edhe i takojmë tradicionalisht. Le të jetë Dita e Flamurit tonë kombëtar sinonim i ecjes edhe më të shpejtë përpara për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen ata. Gëzuar 28 Nëntori - Dita e Flamurit!”