Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha u takua me përfaqësuesit e partive politike

, 12.12.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, po në ditën e marrjes së listës definitive të deputetëve të certifikuar nga KQZ-ja dhe nga PSSP-ja, ftoi menjëherë në një takim konsultativ të gjithë përfaqësuesit e partive politike që do të përbëjnë legjislaturën e re, të tretën me radhë, të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar datën e mbajtjes së seancës konstituive të legjislacionit të tretë të Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha i informoi të pranishmit në takim se është preferencë e PSSP-së dhe e Presidentit të Kosovës që seanca konstituive e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës të mbahet ditën e premte, më 14 dhjetor 2007.

Nga diskutimet e të pranishmëve në këtë takim, doli konstatimi se ende nuk janë kryer konsultat brendapartiake, por edhe për shkak të marrjes me vonesë të listës së deputetëve të certifikuar nuk kanë mundur të kryhen procedurat paraprake për thirrjen e seancës konstituive të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, siç është regjistrimi i deputetëve të rinj dhe pajisja me dokumentet përkatëse (ID-të dhe kartelat e votimit) e deputetëve të certifikuar.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të thirret pas kryerjes së konsultimeve brendapartiake dhe të procedurave administrative.