Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Francës në Prishtinë, Delphine Borione

, 19.12.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot në një takim njohës shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Francës në Prishtinë, Delphine Borione, me të cilën u bisedua për çështje që kanë të bëjnë me Kosovën dhe rreth Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha që në fillim i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë shefes së re të Zyrës Ndërlidhëse të Francës në Prishtinë, Delphine Borione, dhe i uroi suksese në punën që e pret atë në këtë kohë shumë të rëndësishme për Kosovën. Kryeparlamentari Berisha e falënderoi zonjën Borione për qëndrimin shumë konstruktiv të Francës rreth Kosovës, por e falënderoi edhe për bashkëpunimin shumë të ngushtë të Asamblesë Nacionale të Francës me Kuvendin e Kosovës.

Kosova, tha kryeparlamentari Berisha, është duke pritur momentet e fundit të zgjidhjes së statusit të saj, prandaj shpallja e pavarësisë së Kosovës, që do të bëhet nga Kuvendi i Kosovës, do të ndodhë në momentin e duhur dhe në partneritet e në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, me të cilën Kosova ka qenë kooperuese gjatë gjithë procesit të zgjidhjes së statusit.

Kryeparlamentari Berisha e informoi zonjën Borione edhe për punën e Kuvendit të Kosovës, për sukseset e arritura deri më tash, por edhe për detyrat që e presin organin më të lartë legjislativ të vendit në periudhën e ardhshme.

“Kuvendi i Kosovës i ka bërë në afatin më të shpejtë të mundshëm të gjitha përgatitjet për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës, është bërë brenda ditës regjistrimi i të gjithë deputetëve të legjislaturës së re, të tretës me radhë, deputetët e rinj janë pajisur me kartela identifikimi dhe me kartela për votim elektronik, prandaj tash jemi duke pritur partitë politike që të dërgojnë emrat e kandidatëve për anëtarë të Kryesisë së Kuvendit dhe për Kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të gatshëm si Kuvend që, sapo të marrim sinjal nga partitë politike, ta thërrasim brenda ditës seancën konstituive të Parlamentit të ri të Kosovës”, i tha kryeparlamentari Berisha shefes së re të Zyrës Ndërlidhëse të Francës në Prishtinë, Delphine Borione.

Zonja Borione e falënderoi kryeparlamentarin Berisha për bashkëpunimin e deritashëm të Kuvendit të Kosovës me Zyrën Ndërlidhëse të Francës në Prishtinë dhe uroi që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kryeparlamentari Berisha priti shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Francës në Prishtinë, Delphine Borione