Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti delegacionin qeveritar të Bullgarisë

, 27.12.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti delegacionin qeveritar të Bullgarisë të cilit i printe zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ivailo Kalfin. Në delegacion ishin edhe Ganço Ganev, Valentin Poriazov, Dimitar Kançev, Kosio Kitipov, Zornica Apostolova si dhe Nikolaj Kolev, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Bullgarisë në Prishtinë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Berisha paraqiti një pasqyrë të hollësishme për zhvillimet aktuale, ecurinë e proceseve, si dhe hapat që po ndërmerren për konstituimin e institucioneve të reja. Kryeparlamentari Berisha shpjegoi gjithashtu vizionin për shtetin e ardhshëm të Kosovës dhe paraqiti hollësi për ofertën gjeneroze që u është dhënë komuniteteve minoritare, si dhe argumente të tjera që dëshmojnë përcaktimin për të ndërtuar të ardhmen sipas vullnetit të popullit të Kosovës dhe në interes të stabilitetit rajonal.

Zëvendëskryeministri i Bullgarisë, z. Kalfin theksoi se Bullgaria, si vend mik i Kosovës, është e gatshme të luajë rolin e vet për të ndihmuar Kosovën në ecjen e mëtejme drejt integrimeve rajonale e evropiane . Kjo është perspektiva e Kosovës e cila në këtë moment duhet të përqendrohet në anët konstruktive e progresive të proceseve , larg çdo lloj dhune.

Zyrtari i lartë bullgar pasi shprehu keqardhje për faktin se bisedimet me palën serbe nuk dhanë rezultat , paraqiti qëndrimin e vendit të tij se proceset nuk duhet të ndalen , por duhet të vazhdojnë tutje . Është me rëndësi që BE- është deklaruar për rol aktiv në Kosovë, tha z Kalfin duke shtuar se Bullgaria konsideron se vazhdimi i bisedimeve është i pakuptimtë dhe se Bullgaria është kundër çfarëdo ideje për ndarje të Kosovës. Si kudo tjetër në rajon duhet të respektohet edhe këtu multietniciteti , theksoi zëvendëskryeministri i Bullgarisë. Ai theksoi se mbështetja që i kanë dhënë institucionet kosovare Planit të z. Ahtisari , si plan gjithëpërfshirës, është një zotim i mirë dhe bazë e mirë për të ndërtuar këto procese për të ardhmen e Kosovës.

Ne do të ofrojmë mbështetje procesit dhe presim bashkëpunim të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, duke qenë të bindur se pas statusit Kosovën e presin edhe shumë punë të rëndësishme si çështja e zhvillimit ekonomik dhe ajo e integrimeve rajonale e evropiane.
Kryeparlamentari Berisha priti delegacionin  qeveritar të Bullgarisë