Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha shtroj koktej për gazetarë

, 28.12.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka shtruar në këtë fundviti një koktej rasti për gazetarë, për të shënuar bashkëpunimin e frytshëm të Kuvendit me media gjatë vitit që po e lëmë.

Kryeparlamentari Berisha duke i falënderuar gazetarët, xhiruesit dhe fotoreporterët, të cilët i kanë ndjekur punimet e Kuvendit, ka vlerësuar angazhimin e tyre profesional, që i ka kontribuuar forcimit të demokracisë parlamentare.

Këtë vit do ta mbajmë mend për dështimin e pritur të një procesi të gjatë e të mundimshëm të bisedimeve për statusin e Kosovës, u ka thënë Berisha gazetarëve.

“Them i pritur, sepse, me vetë rrjedhën dhe me përfundimin e pasuksesshëm të tij, bëri që, edhe asaj pjese, e cila pretendonte të tregohej si ithtare e flakët gjoja e një marrëveshjeje kompromisi, por që në thelb kishte për qëllim institucionalizimin e një procesi të bisedimeve të pafund, ua mori nga dora edhe këtë argument dhe dështimi i bisedimeve hapi rrugë që çështja e statusit të zgjidhet më shpejt” ka theksuar Berisha, i cili është shprehur se sot, çështja e statusit të Kosovës, është në prag të zgjidhjes së saj aq shumë të pritur.

Mjafton të analizohet rrjedha e punimeve të mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të besuar se, në njëfarë mënyre, Kosovës iu dha sinjali i gjelbër për të ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm, gjithnjë në koordinim me partnerët tanë, siç janë SHBA dhe BE, u ka thënë Berisha gazetarëve, duke u shprehur optimist se, jo vetëm Serbia me rezolutat e saj aq absurde, por asnjë forcë tjetër nuk do të mund ta pengojë më procesin e pavarësimit të Kosovës.
Kryeparlamentari Berisha shtroj koktej për gazetarë