Lajmet e fundit
Fjala e kryeministrit Hashim Thaçi në seancën e Kuvendit
, 09.01.2008
I nderuari kryetar i Kosovës,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Kosovës,
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Sot ndjehem i nderuar, që para jush dhe qytetarëve të Kosovës kam rastin të paraqes fjalimin ekspoze të Qeverisë së Kosovës.
Më lejoni që në fillim t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës për mbështetjen e dhënë, si dhe kryetarin e Kosovës për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë, detyrë kjo që me kënaqësi e kam pranuar dhe me nder e përgjegjësi do ta ushtroj.
Ky vit që sapo filluam sjell para nesh, si vend dhe popull, jo vetëm ballafqime dhe sfida të shumta, por edhe shpresën dhe besimin e ringjallur me plot mundësi për të ecur përpara.
Është e vërtetë, sot ndodhemi në udhëkryqin më të rëndësishëm të historisë sonë te re.
Ne jemi duke u përgatitur që në fillim të pjesës se parë të këtij viti ta bëjmë Kosovën të pavarur dhe sovrane.
Vend të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
Të drejtat e minoritareve do të respektohen dhe garantohen përmes angazhimeve afirmative, të garantuara edhe me Kushtetutë.
Për Kosovën e pavarur dhe demokratike populli ynë është i bashkuar si asnjëherë më parë. Ne jemi në një krah dhe të koordinuar ngushtë me miqtë tanë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Ëndrrën dhe të drejtën tonë do ta bëjmë realitet.
Kosova do bëhet pjesë e familjes së popujve të lirë të botës.
Politika e Qeverisë së Kosovës çdo herë do të mbetet e rrënjosur në të drejtën e popullit tonë.
Kosova do të jetë e pavarur!
Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se pavarësia e shumëpritur nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet e vendit tonë.
Bashkë me pavarësinë do të vijnë edhe shumë sfida tjera, me të cilat duhet të ballafaqohemi.
Është obligim ynë ndaj qytetarëve që të krijojmë lidership të ri dhe të fuqishëm, i cili do të punojë me nder dhe përkushtim të lartë për të bërë shtetin tonë të ri të respektuar.
Të nderuar deputetë
Agjenda të cilën po e shpalos sot para jush, qëllim parësor ka ndryshimet reale e të menjëhershme, gjithëpërfshirëse dhe rrënjësore.
Pikërisht ato ndryshime në të cilat besuan, i kanë kërkuar dhe që i presin qytetarët tanë.
Qytetarët tanë me të drejtë janë duke pritur dhe janë duke vëzhguar me kujdes.
Ata kanë kërkuar dhe janë përcaktuar për ndryshime.
Ata janë duke pritur veprime konkrete dhe të menjëhershme.
Prandaj duke filluar këtu, që nga sot, ne duhet t’i përmbushim pritjet e tyre, që janë edhe zotimet tona.
Deputetë të nderuar,
Agjenda e Qeverisë së Kosovës për reforma dhe ringjallje është specifike dhe e gjerë.
Ajo i qartëson prioritet, mirëpo me lejoni të sqaroj, ajo nuk paraqet listë të të gjitha problemeve, që do të zgjidhen gjatë vitit 2008.
Sfidat tona janë të shumta, mirëpo qëllimet tona janë të fokusura.
Së bashku duhet të fillojmë punën e gjithanshme për ndërtimin e vendit tonë të ri.
Zonja dhe zotërinj,
Në javët vijuese, unë ne emër të qeverisë së Kosovës do ta prezentoj para qytetarëve tërë projektin gjithëpërfshirës për Reforma Ekonomike.
Ky plan do të fillojë ta ngjallë ekonominë kosovare, me qëllim që ta shpjerë vendin tonë në epokën e re të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të mundësive.
Kjo epokë ndërtohet duke krijuar një klimë në të cilën investitorët, jo vetëm që mund të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, por ata mund të operojnë pa probleme, t’i zgjerojnë bizneset e tyre dhe të krijojnë vende të reja pune.
Në këtë përpjekje do të udhëhiqemi me një disiplinë, transparencë dhe kujdes të madh financiar.
Ne do të sigurohemi që projektet tona kapitale të parapara për këtë vit dhe vitet vijuese të financohen ashtu siç duhet dhe që buxheti të jetë në përputhje me këto projekte.
Prandaj, Qeveria e re Kosovës do ta bëjë një rishikim të tërësishëm të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës për vitin 2008.
Ne do të jemi të bashkuar në qëllimin tonë për të shënuar rritje ekonmike, duke u pajtuar për uljen e tatimit për biznese, që është më e larta në rajon.
Në gjendjen e tanishme, motivi i investitorëve për të ardhur dhe investuar në Kosovë është shumë i ulët.
Ulja e kësaj takse do të dërgojë mesazh të qartë për tërë botën se Kosova është e hapur për biznes.
Veprimi tjetër që duhet të bëjmë së bashku është sigurimi i kredive me kamata të ulëta dhe afatgjata.
Ato kredi do të jenë të përshtatshme për bizneset, dhe do ta vërtetojnë faktin se në Kosovë mund të krijohen vende të reja pune.
Të shkojmë në hap më tutje – zotohemi për krijimin e Zonave Industriale të cilat do ta stimulojnë rritjen ekonomike.
Përmes lehtësirave të ndryshme tatimore, të dizajnuara për t’i tërhequr bizneset e reja në Kosovë, bizneseve ekzistuese do t’u krijojmë mundësi të zgjerimit dhe të krjimit të më shumë vendeve të punës.
Që ta dëshmojmë se Kosova është e hapur për biznes, ne duhet të ballafaqohemi me sfidat më të mëdha ekonomike:
Energjinë dhe Infrastrukturën.
Deputetë të nderuar,
Përkushtimi ynë për energjinë dhe infrastrukturën do të jetë konkret dhe serioz.
Mungesa e energjisë së vazhdueshme do të konsiderohet nga qeveria e Kosovës si një krizë nacionale.
Prandaj, qeveria do të përgatitë një pako reformash të gjithanshme për t’i tejkaluar problemet ekzituese, për të garantuar furnizim të rregullt dhe normal me energji.
Unë kërkoj ndihmën tuaj për të gjetur zgjidhje të shpejta për problemet ekzistuese.
Në këtë aspekt duhet të jemi inovativ:
Do t’i studiojmë të gjitha mundësitë alternative të energjisë, duke u nisur nga energjia diellore e deri tek ajo e erës, që të sigurohemi për përmbushjen e nevojave tona.
Do të vazhdojmë përpjekjet për ta bërë Kosovën vendin më të gjelbër në Evropën Lindore.
E gjithë bota është duke u përballur me dilemën se “ ku do ta gjëjmë energjinë e domosdoshme për furnizimin e ekonomisë globale të shekullit të 21-të, pa shkaktuar dëme të pariparueshme për ambientin tonë natyror?"
Përse të mos bëjmë përpjekje që ta bëjmë Kosovën një vend që mund të japë përgjigje në këtë çështje?
Ju ftoj që Kosovën ta bëjmë një qendër rajonale të pastër për kërkime në lëmin e energjisë, për zhvillim, prodhim dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Të sigurohemi që t’i tërheqim kompanitë nga e gjithë bota, të cilat merren me prodhimin e energjisë së pastër dhe rigjeneruese për të ardhmen.
Të nderuar deputetë,
Krijimi i rrjetit infrastrukturor ndërkufitar efikas do të jetë gjithashtu prioritet i Qeverisë së Kosovës.
Duke filluar nga rrugët e deri tek hekurudhat, ne duhet të punojmë së bashku që t’i modernizojmë ato dhe të ndërtojmë infrastrukturë të re për ta lidhur vendin tonë në çdo kënd.
Do ta integrojmë infrastrukturën tonë në rrjetin e transportit ndërkombëtar dhe të ecim drejt implementimit të standardeve evropiane.
Projekti ynë nuk synon vetëm uljen e shpenzimeve për bizneset, por edhe rritjen e konkurrencës, stimulimin e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.
Zonja dhe zotërinj,
Në ditët e sotme, mundësitë varen nga fuqia e dijes, prandaj kompanitë janë në gjendje të udhëtojnë në çdo vend të botës për ta gjetur këtë fuqi.
Investojnë aty dhe lidhen me të.
Do të fillojmë t’i implementojmë prioritetet tona në fushën e arsimit, me qëllim që të ballafaqohemi me sukses me kërkesat e shekullit 21.
Ju ftoj që ta fillojmë realizimin e qëllimit tonë qysh sot - ta bëjmë Kosovën lider rajonal në përgatitjen e studentëve për karrierë në lëmin e matematikës, shkencës dhe tekonlogjisë informative.
Projekti ynë shpalos pakon e detajuar për reformat në arsim, e cila do të sigurojë mundësi të reja për studentët tanë dhe do t’i sigurojë prindërit se fëmijët e tyre, fëmijët tanë do të kenë mundësi ta vënë në funksion potencialin e tyre intelektual.
Do ta fillojmë këtë projekt të madh duke krijuar Fondin Nacional për Arsim, duke i ngritur pagat e mësimdhënësve, duke i motivuar ata me shpërblime për arritjet në punë.
T’i ndihmojmë lokalitetet tona duke ndërtuar shkolla të reja dhe kështu të lehtësojmë gjendjen e rëndë ekzistuese.
Përveç kësaj, do të fillojmë menjëherë me vendosjen e qendrave kompjuterike në shkollat tona, me qëllim që jo vetëm t’i lidhim shkollat ndërmjet veti, por edhe me shtetet tjera moderne të botës.
Do të krijojmë një sistem të vlerësimit të dijes për nxënësit dhe do të punojmë intensivisht në licencimin e arsimtarëve.
Do të krijojmë një sistem universitar të shekullit të 21-të, i cili siguron kuadro të specializuara në matematikë, shkencë dhe tekonlogji informative.
Një sistem i cili iu mëson studentëve tanë shkathësitë e domosdoshme për të arritur suksese në ekonominë e avancuar të së nesërmës.
Së bashku ta bëjmë arsimin një asset të dobishëm për gjeneratat e ardhshme.
T’ i fuqizojmë fëmijët tanë që ata të korrin suksese në karrierën e tyre, inovatorë dhe kreatorë të së nesërmes.
Të nderuar deputetë,
Fokusimi në ekonomi, energji, infrastrukturë dhe arsimim do të na mundësojë që ta rrisim buxhetin tonë të kufizuar.
Kjo rritje na lejon pastaj që të koncentrohemi në programet sociale, për të cilat vendi ka aq shumë nevojë.
Derisa vazhdojmë të ecim përpara së bashku, do t’u sigurojmë qytetarëve tanë sistem shëndetësor të nivelit të parë dhe të fillojmë krijimin e një sistemi në të cilin të gjithë qytetarët do të kenë sigurime shëndetësore, qoftë private apo publike.
Zotohemi sot, që qeveria jonë do t’i kushtojë kujdes të madh të moshuarve dhe do ta reformojë fondin pensional.
Me qëllim që nga ai fond të bëhen investime, dhe nga ai të mundësohen lehtësime për sigurimin e barnave si dhe sigurimin shëndetësor për të moshuarit.
Të nderuar deputetë,
Të gjitha këto inciativa do të jenë të pakuptimta në rast se nuk do të kemi qeveri të hapur dhe transparente.
Unë dua ta nxjerr qeverinë nga mjegulla dhe ta bëj atë të përgjegjshme para qytetarëve të cilëve ajo do të duhej t’u shërbente.
Unë zotohem se do t’ i jap fund ciklit të vazhdueshëm të humbjeve, mashtrimeve dhe abuzimeve me paratë e qytetarëve tanë.
Do t’i mbetem besnik besimit të dhënë nga qytetarët.
Do të kërkoj nga secili ministër që ta bëjë të njëjtin zotim.
Lufta kundër korrupsionit do të jetë e ashpër dhe me zero tolerancë ndaj kujtdo dhe kurdoherë.
Prandaj kërkoj mbështetjen tuaj, të institucioneve përgjegjëse vendore dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Të nderuar deputetë,
Në kohët që vijnë Kosova do të formësojë insiticionet e veta demokratike dhe do të fuksionojë si nje shtet i plotë në tërë territorin e saj.
Qytetarë të Kosovës,
Unë kërkoj unitetin tuaj të vazhdueshëm, besimin dhe mirëkuptimin.
Sfidat me të cilat ballafaqohemi nuk janë të pakta dhe zgjidhjet nuk do të mund të jenë aq të lehta dhe të shpejta.
Programi që do të prezantoj, do të fillojë të zbatohet në praktikë që nga sot, por nuk do të mund të përfundojë gjatë vitit të parë të kësaj qeverie.
Do të kemi udhëtim të gjatë bashkërisht.
Pra, bashkohuni me mua që të fillojmë këtë udhëtim që nga sot, ta fillojmë të bashkuar në shpirtin e shpresës, vendosmërisë dhe të mundësive.
Deputetë të nderuar,
Ju ftoj sot që ta votoni këtë agjendë, për këtë qeveri dhe për qytetarët të cilët do të na ndihmojnë në rrugën tonë. Vota juaj u dërgon mesazhin e qartë atyre që i përfaqësoni.
Ju u keni thënë atyre se jeni të gatshëm që të jeni liderë të fuqishëm ashtu siç ju duan, që të bëni ndryshimet e vërteta që ata i kërkojnë dhe ta ndërtoni vendin e ri ashtu siç ata e meritojnë.
Faleminderit.