Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi merr urime të shumta për postin e tij

, 11.01.2008




Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vazhdojnë t’i arrijnë telegrame të shumta urimi për postin në krye të legjislativit të vendit.

Duke i uruar punë të mbarë kryeparlamentarit Krasniqi dhe suksese Kuvendit të pavarësisë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në telegramin e saj përshëndetës shprehet: “ Dy Kuvendet tona janë në të njëjtën vijë, rrahin me të njëjtin ritëm dhe përshkohen nga e njëjta frymë dëshire: Pavarësia. Kuvendi që ju do të drejtoni, i dalë nga zgjedhjet e lira të 17 nëntorit, do të hartojë e miratojë ligjet e shtetit më të ri, që po jep gjithnjë e më shumë prova frymëzuese të mirëfunksionimit të demokracisë, të konsolidimit të institucioneve, të projektimit të sigurt si shtet evropian . Populli i Kosovës, përmes zgjedhjeve të tij, bashkë me votën, i ka besuar këtij Kuvendi shpresat, dëshirat dhe ëndrrat për pavarësi. Kjo e bën institucionin që ju do të drejtoni një Kuvend historik.”, përfundon telegrami i homologes shqiptare.

Kryeparlamentari Krasniqi ka marrë telegram urimi edhe nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, nga komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Sylejman Selimi, nga kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa dhe nga Zyra Ndërlidhëse e Shqipërisë në Kosovë, përkatësisht shefi i Misionit, Arben Çeku.

Krasniqit i kanë arritur urime edhe nga kryetari i PPD-së nga Tetova, Abdyl Veseli, nga Unioni i Bashkësisë Shqiptare në Zagreb, i nënshkruar nga kryetari i këtij Unioni, Tom Marku, nga kryetari i Partisë Forca e Re Demokratike në Ulqin, Nazif Cungu, nga Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, nga kryetari i Bashkimit Demokratit i Luginës, Skender Destani nga Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës, si dhe nga personalitete e qytetarë të shumtë nga Kosova dhe gjithë hapësira shqiptare.