Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 15.01.2008




Në mbledhjen e parë pas zgjedhjes së saj, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka vendosur për numrin e komisioneve parlamentare të Legjislaturës së tretë, për numrin e komisioneve që to të kryesojë çdo grup parlamentar dhe për numrin e anëtarëve të komisioneve parlamentare.

Fillimisht, kryeparlamentari Krasniqi i ka uruar anëtarët e Kryesisë për zgjedhjet e nëntorit dhe për zgjedhjen e tyre në Kryesinë e Kuvendit. Ai ka shfaqur shpresën se bashkërisht do të ecin në procesin për Kosovën, duke theksuar se Kuvendi gjatë dy legjislaturave të kaluara ka krijuar një traditë, të cilën duhet vazhduar dhe begatuar me elemente të reja. Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë janë shprehur të vullnetshëm të punojnë së bashku për funksionalizimin e punës së Kuvendit, kurse kanë shprehur keqardhje pse ende nuk janë zgjedhur dy anëtarë të Kryesisë nga radhët e minoriteteve. Ata e kanë kërkuar njëzëri nga Grupi Parlamentar i deputetëve serbë dhe ai i minoriteteve të tjera të arrijnë pajtimin për dy anëtarët e Kryesisë nga radhët e tyre.

Në vazhdim Kryesia ka shqyrtuar propozimin për numrin dhe përmbajtjen e Komisioneve Parlamentare. Është vendosur që Kuvendi në këtë Legjislaturë t’i ketë trembëdhjetë komisione të përhershme parlamentare (nga dhjetë sish, sa i kishte në legjislaturën e shkuar), kurse numri i anëtarëve të komisioneve funksionale të jetë njëmbëdhjetë (dy komisionet kryesore: ai për Buxhet dhe Financa dhe ai për Interesat e Komuniteteve do të kenë më shumë anëtarë).

Varësisht nga rezultati i zgjedhjeve, ndërkaq, është vendosur që Grupi Parlamentar i PDK-së dhe ai LDK-së të udhëheqin nga tri komisione, AKR-ja dy, Grupi parlamentar 7+ dhe ai i LSL-së nga një komision, kurse ka mbetur të kërkohet këshillë juridike nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut se cili nga Grupi Parlamentar i AAK-së dhe ai i LDD-së, do të marrë drejtimin e dy përkatësisht të një komisioni parlamentar.

Do të funksionojnë këto komisione të përhershme parlamentare të Kuvendit të Kosovës:

1. Komisioni për Buxhet dhe Financa, 12 anëtarë;
2. Komisioni për Komunitete dhe Kthim, 14 anëtarë;
3. Komisione për Legjislacion dhe Gjyqësi, 11 anëtarë;
4. Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, 11 anëtarë;
5. Komisioni për Bashkëpunim me Jashtë, 11 anëtarë;
6. Komisioni për Integrime Evropiane, 11 anëtarë;
7. Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, 11 anëtarë;
8. Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, 11 anëtarë;
9. Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, 11 anëtarë;
10. Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, 11 anëtarë;
11. Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media, 11 anëtarë;
12. Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri, 11 anëtarë;
13. Komisioni për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, 11 anëtarë.

Kryesia ka shqyrtua edhe çështjen e ndarjes së hapësirës së Kuvendit për grupet parlamentare dhe deputetët, si dhe çështje të tjera të organizimit të brendshëm të Kuvendit.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit