Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti shefen e Zyrës Franceze në Kosovë, zonjën Delphine Borione

, 17.01.2008




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot shefen e Zyrës Franceze në Kosovë, zonjën Delphine Borione, e cila bashkë me urimet për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit, i ka përcjellë atij edhe përkrahjen e Francës për Kosovën dhe përgëzimet për krijimin e institucioneve të vendit nga zgjedhjet e nëntorit. Ajo, ndërkaq, ka shprehur kënaqësinë për jetësimin e një Kosove demokratike dhe shumetnike.

Diplomatja franceze e ka vlerësuar shumë të rëndësishme ruajtjen e sigurisë në terren në këtë fazë të ndjeshme për Kosovën dhe e ka parë me interes të miratohen dhe të zbatohen ligjet për mbrojtjen e minoriteteve, për decentralizimin dhe kufijtë ndërmjet komunave të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Kosovën dhe për zgjidhjen e statusit të saj, konform vullnetit të popullit të Kosovës. Parlamenti i Kosovës do t’i kryejë obligimet e veta ndaj qytetarëve të Kosovës, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila e ka mbështetur zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka premtuar Krasniqi. Ai është zotuar se Kuvendi i Kosovës do të miratojë korpusin e ligjeve të nevojshme, përfshirë edhe ato që dalin nga Pakoja e Ahtisarit.

Kryeparlamentari Krasniqi, nga ky takim, i ka dërguar një mesazh përshëndetjeje presidentit francez Sarkozi dhe ministrit të Jashtëm Kouchner, për mbështetjen e drejtë të çështjes së Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi priti shefen e Zyrës Franceze në Kosovë, zonjën Delphine Borione