Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti shefin e Zyrës së Gjermanisë në Prishtinë, z. Karl Wokalek

, 18.01.2008




Parlamenti i Kosovës tani po fillon një punë të madhe dhe interesante. Kosova duhet të marrë punët në duar të veta, të jetë përgjegjëse për veten dhe për atë se si do të bëjë rrugëtimin në vitet e ardhshme. Gjermania gjithnjë i ofron ndihmë Kosovës . Shteti gjerman ka marrëdhënie të veçanta me Kosovën , duke ditur se atje jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë. Këto ishin disa nga konstatimet e shefit të Zyrës Gjermane, Karl Wokalek, në takimin që pati me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas përgëzimeve që ia drejtoi për postin e ri.

Gjermania dhe Bashkësia Evropiane do të jenë këtu edhe më tutje për të ndihmuar Kosovën. Mirëpo, Kosova shumë shpejt do të zhvillohet dhe do të qëndrojë në këmbë të veta, theksoi Wokalek.

Në takim është biseduar edhe për procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës. Përkitazi me këtë , kryeparlamentari Krasniqi theksoi se gjatë gjithë kohës Gjermania ka mbështetur procesin politik të Kosovës, si dhe rrugën që kemi zgjedhur që së shpejti të shpallim pavarësinë e Kosovës në koordinim me Bashkësinë Evropiane, SHBA-të dhe komunitetin ndërkombëtar.
Kryeparlamentari  Krasniqi priti shefin e Zyrës së Gjermanisë në Prishtinë, z. Karl Wokalek