Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 21.01.2008




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që të premten, më 25 janar të këtij viti Kuvendi i Kosovës të mbajë seancë solemne për nder të vizitës së presidentit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Bamir Topi. Vizita bëhet në momentin e duhur, në vigjilje të pavarësisë së Kosovës dhe shënon thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të institucioneve të të dy vendeve tona, që na nderon reciprokisht, janë pajtuar të gjithë anëtarët e Kryesisë, të pranishëm në këtë takim.

Deputetëve atë ditë do t’u drejtohet me një fjalë përshëndetëse presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Kryesia po në këtë mbledhje ka vazhduar me ndarjen e kryesimit të komisioneve parlamentare, dhe me numrin e anëtarëve të çdo grupi parlamentar nëpër komisioneve parlamentare.

Pas interpretimit të Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, për kontestin ndërmjet LDD-së dhe AAK-së, për numrin e komisioneve që duhet të drejtojnë, të nënshkruar nga Alexander Borg Oliver, Grupi Parlamentar i PDK-së dhe ai i LDK-së do të kryesojnë nga tri komisione, nga dy komisione do të kryesojnë Grupi Parlamentar i AKR-së dhe ai i AAK-së, kurse Grupi Parlamentar i LDD-së, ai 7+ dhe ai i SLS-së do të kryesojnë nga një komision. Në secilin nga njëmbëdhjetë komisionet, të cilat do t’i kenë nga njëmbëdhjetë anëtarë, do të marrin pjesë nga tre deputetë të PDK-së dhe të LDK-së, si dhe nga një deputet të grupeve të tjera parlamentare.

Kryesia ka vendosur që të hënën e ardhshme ta mbajë një takim të përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, në të cilin do të hidhej shorti për kryesimin e komisioneve parlamentare.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit