Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti shefen e Zyrës së Suedisë në Prishtinë, znj. Ann-Sofie Nilsson

, 22.01.2008




Suedia ka ndihmuar dhe po e ndihmon Kosovën në disa forma, si nga aspekti i sigurisë, me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të saj në kuadër të KFOR-it, ashtu edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ndihmë të çmuar Suedia i ka dhënë sidomos Agjensionit Kadastral të Kosovës dhe Entit të Statistikës së Kosovës. Ky vend mik edhe më tutje do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën. Këto ishin disa nga konstatimet themelore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës , Jakup Krasniqi me shefen e Zyrës së Suedisë në Prishtinë, znj. Ann-Sofie Nilsson, e cila në fillim kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i përcolli urimet më të përzemërta të saj dhe të bartësve të institucioneve më të larta të Suedisë për zgjedhjen në postin e kryeparlamentarit.

Në prononcimin para mediave kryeparlamentari Krasniqi tha se Suedia si anëtare e Bashkimit Evropian do të ketë mundësi që ta ndihmojë Kosovën edhe në aspektin e anëtarësimit sa më të shpejtë në kuadrin e BE-së.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së Suedisë në Prishtinë, znj. Ann-Sofie Nilsson, shprehu gatishmërinë e Suedisë që në kontinuitet të ndihmojë prosperitetin e gjithëmbarshëm të Kosovës, pra edhe pas përcaktimit të statusit përfundimtar të vendit.
Kryeparlamentari Krasniqi priti  shefen e Zyrës së Suedisë në Prishtinë, znj. Ann-Sofie Nilsson