Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi familjen Jashari

, 22.01.2008




Në dhjetëvjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi vizitoi familjen Jashari dhe bëri homazhe tek varri i komandantit Adem Jashari dhe varret e Jasharajve të tjerë të rënë për lirinë e Kosovës.

Kryeparlamentarin Krasniqi, i cili shoqërohej nga deputetët Ramë Buja, Gani Koci dhe Ibrahim Gashi, si dhe këshilltarët e tij, Mehmet Hajrizi e Ismet Hajrullahu, i ka pritur kreu i Familjes Jashari, baca Rifat, i cili ka uruar për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës dhe postet me përgjegjësi që kanë marrë, duke shfaqur shpresën se udhëheqja e zgjedhur e Kosovës do të jetë në krye të detyrës, në momentin historik për pavarësinë e vendit.

Zotëri Krasniqi, duke rikujtuar përvjetorin e sulmit të dytë terrorist të forcave serbe mbi familjen Jashari dhe fitoren e radhës së komandantit, ka shprehur mirënjohjen për luftën dhe sakrificën e Jasharajve. “Lufta çlirimtare e filluar në Prekaz u përhap në gjithë Kosovën dhe u bë gurthemel i pavarësisë së Kosovës, që hapi rrugën për krijimin e institucioneve demokratike dhe zgjedhjes së përfaqësuesve të popullit “, është shprehur Krasniqi, i cili ka theksuar se shumë shpejt do të shpallet edhe pavarësia e vendit dhe do të bëhet edhe njohja ndërkombëtare e kësaj pavarësie.

“Të rënëve për lirinë e Kosovës – lavdi e përjetshme!” – ka uruar me pietet Krasniqi.

“E gëzofshim lirinë me gjithë të tjerët!”, ia ka kthyer Rifat Jashari, i cili është shprehur optimist se pas asaj dite do të hapet punë dhe do të ketë investime e zhvillim në Kosovë.
Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi familjen Jashari