Lajmet e fundit

Mbahet Forumi ndërkombëtar “Parlamenti dhe Shoqëria Civile-Këmbimet e përvojave më të mira”

, 22.01.2008




Sot në Prishtinë zhvilloi punimet Forumi ndërkombëtar “Parlamenti dhe Shoqëria Civile - Këmbimet e përvojave më të mira”, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të katër parlamenteve të cilat e mbështesin Kuvendin e Kosovës: Belgjkës, Francës, Gjermanisë dhe Sllovenisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile dhe të mediave.

Forumi i financuar nga Projekti i BE-së : "Mbështetje e Mëtejme Kuvendit të Kosovës" u mbajt nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasiniqi, i cili duke e përshëndetur mbajtjen e një forumi të tillë në Kosovë, theksoi rëndësinë e demokracisë parlamentare, kontaktin e vazhdueshëm të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit me qytetarët dhe për transparencën në rritje të punës së legjislativit të Kosovës.

Pastaj Forumi i kryesuar nga ambasadori Geroges – Marie Chenu ka zhvilluar punimet me prezantimet fillestare të Armernd Bekajt në temën: Shoqëria civile dhe progresi ligjbërës në Kosovë” dhe atë të Lulzim Pecit “ Tiparet e Kuvendit të Kosovës dhe të shoqërisë civile në Kosovë”, për të vazhduar pastaj me dy punëtori.

Në punëtorinë e parë, të kryesuar nga deputeti i të tri legjislaturave, Hydajet Hyseni dhe e moderuar nga Heike Baddenhausen (nga Projekti...) në temën “ Mënyra dhe mjetet për të komunikuar :shoqëri civile - parlament, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lulzim Zeneli, gazetarja e Rrjetit ballkanik për gazetari hulumtuese, Jeta Xharra dhe deputeti i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, David Geertsp, kanë prezantuar mënyrat dhe nevojat për të komunikuar me shoqërinë civile, në funksion të përmirësimit të punës së Kuvendit dhe afrimit të tij me interesimet e qytetarit, duke vënë në pah nevojën për qasje në punën e legjislativit, transparencë dhe gjithpërfëshirje.

Edhe në puntorinë e dytë të pasdites, në temën “Përmirësimi i bashkëpunimit aktiv në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile”, të kryesuar nga deputeti Ibrahim Makolli dhe të moderuar nga ambasadori Geroges – Marie Chenu, kanë bërë prezantimet e tyre deputeti, Lutfi Haziri, deputeti slloven Aurelio Juri dhe Igballe Rugova, nga Rrjeti i grave Kosovare, kurse për shqyrtimin e temave kanë kontribuar edhe pjesëmarrësit e tjerë me pyetjet dhe sugjerimet e tyre dhe përgjigjet e panelistëve në pyetjet e bëra.

Mbrëmë deputetët nga katër parlamentet që e mbështesin Kuvendin e Kosovës kanë vizituar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës dhe janë njoftuar me funksionimin e administratës së Kuvendit, në funksion të mbarëvajtjes së punëve të legjislativit të vendit.
Mbahet Forumi ndërkombëtar “Parlamenti dhe Shoqëria Civile-Këmbimet e përvojave më të mira”