Lajmet e fundit

Fjala përshëndetëse e Kryetarit, Jakup Krasniqi me rastin e vizitës së Presidentit Topi në Kuvendin e Kosovës

, 25.01.2008




I nderuar zoti president, Bamir Topi,

Duke ju uruar mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, dëshiroj që në emrin tim dhe të kolegëve parlamentarë të Kosovës, t’ju përshëndes ju, zonjën tuaj të nderuar dhe bashkëpunëtorët që ju shoqërojnë.

Vizita juaj koincidon me procesin intensiv të konsolidimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e përgjithshme për organet qendrore dhe lokale të pushtetit në Kosovë. Këto zgjedhje ishin edhe një sprovë e suksesshme e demokracisë së re në Kosovë. Ato u zhvilluan sipas standardeve të përparuara demokratike, me një kulturë të lartë politike dhe me rezultate të pakontestuara.

Legjislatura e tretë e Kuvendit dhe institucionet tjera të Kosovës përbëhen nga përfaqësues të zgjedhur e të emëruar të komuniteteve të ndryshme, që shpreh dhe pasqyron shoqërinë tonë shumetnike, por edhe frymën e re të bashkëjetesës e të zhvillimit të saj të lirë e demokratik.

Kosova ndodhet gjithashtu në fazën e shpalljes dhe të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë. Pavarësia e Kosovës, e aspiruar nga shumica e qytetarëve të saj, tashmë po mbështetet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pavarësimi i Kosovës do ta bëjë shoqërinë tonë të lirë dhe sovrane, do të sigurojë barazinë e plotë për të gjithë qytetarët e saj, pa asnjë dallim, duke e kthyer vendin tonë në një faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Kosova është kthyer drejt të ardhmes së saj demokratike e evropiane, duke lënë pas historinë e saj të dhembshme. Kosova e integruar në familjen e madhe evropiane, atje ku e ka vendin që nga antika ilirike, do të jetë bashkë me fqinjët e saj, me të cilët në mënyrë të përkushtuar do të synojë ndërtimin e marrëdhënieve të reja mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ngushtë reciprok. Jam i bindur se në gjithë Gadishullin tonë po fryjnë erë të reja të integrimeve e të partneritetit midis kombeve dhe vendeve. Kosova do t’i qëndrojë besnike kësaj filozofie politike të vizionit për të ardhmen e ndritur të popujve të kësaj pjese të Evropës së bashkuar.

Zoti president,

Gjej këtë rast të bukur të falënderoj Republikën e Shqipërisë dhe ju personalisht për kontributin e madh që keni dhënë në proceset kombëtare e ndërkombëtare nëpër të cilat po kalon Kosova dhe çështja e saj. Mbështetja juaj dhe bashkëpunimi intensiv e parimor ndërkombëtar ka qenë dhe mbetet e një rëndësie të veçantë për Kosovën. Ju sigurojmë që investimi juaj dhe ai ndërkombëtar për shtetin e Kosovës do të shkojë në dobi të gjithë qytetarëve të saj, në dobi të demokratizimit të vendit tonë dhe do t’ i shërbejë paqes e sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin.

Ju faleminderit.

Zoti president i Republikës së Shqipërisë, Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju ftoj t’i drejtoheni kuvendit të Kosovës me një fjalë përshëndetëse.