Lajmet e fundit

Dita e dytë e Programit hyrës për deputetë e rinj

, 29.01.2008




Gjatë ditës së dytë të Programit hyrës për deputetë e rinj që mbahet nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe mbështetet nga Iniciativa për Mbështetjen e Kuvendit (ASI), Misioni i OSBE-së në Kosovë, Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) dhe USAID-i parlamentarët e rinj janë njoftuar me funksionin legjislativ të Kuvendit të Kosovës, kurse ata i ka përshëndetur drejtori i Universitetit Amerikan në Kosovë, Cris Holl, i cili u ka uruar punë të mbarë dhe sukses në funksionin me përgjegjësi, në të cilin janë zgjedhur.

Deputeti Hydajet Hyseni, i cili edhe e ka kryesuar sesionin e sotëm, ka mbajtur një ekspoze hyrëse për funksionin legjislativ të legjislaturave dhe parlamenteve. Ai është përqendruar në rolin e Kuvendit, si organi më i lartë përfaqësues dhe legjislativ i vendit, për funksionimin e sistemit të Kosovës sipas modelit të republikave parlamentare dhe për përvojat e tij gjatë dy lagjislaturave të kaluara, sidomos si kryetar i Komisionit për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese. Hyseni është angazhuar që deputetët të ndjejnë përgjegjësinë e të qenit përfaqësues të popullit sipas modelit të Kushtetutës Amerikane: “ Ne qytetarët ...jemi sovran”, ndërkaq ka evidencuar mangësi të ndryshme të ligjvënies në të gjitha etapat e hartimit dhe të miratimit të ligjeve.

Në vazhdim, udhëheqësi për politika dhe legjislacion në Ministrinë e Drejtësisë, Bedri Bahtiri, ka shpjeguar gjithë procesin e hartimit të legjislacionit nga Qeveria dhe ministritë, që nga iniciativa ligjore, vlerësimi i ndikimit rregullativ të një ligji të caktuar, ndikimi i tij financiar, koncept-dokumenti, e deri te momenti i dorëzimit në Kuvendin e Kosovës.

Drejtori i Depertamentit për Çështje Ligjore dhe Procedurale, Daut Beqiri, i cili ka folur për procesin legjislativ të Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar shpjegimet e thukëta të parafolësit, por ka konstatuar me keqardhje se jo të gjitha projektligjet që vijnë në Kuvend të Kosovës kalojnë procedurat e parapara dhe se shumica e tyre lënë për të dëshiruar për sa i përket cilësisë dhe gjuhës juridike të përdorur. Ai pastaj ka shpjeguar gjithë procedurën e miratimit të ligjeve deri te shpallja e tyre nga PSSP-ja.

Për Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, për teorinë dhe praktikën e zbatimit të saj nga deputetët ka dhënë shpjegime sqaruese Jennifer Ober, kurse më pastaj panelistët u janë përgjigjur pyetjeve të shumta të deputetëve.

Në pjesën e pasditës së sotme të Programit hyrës për deputet të rinj, për rolin e Zyrës ligjore të Kuvendit dhe të Zyrës për propozime dhe parashtresa kanë folur Daut Beqiri dhe Sali Rexhepi.

Në vazhdim kanë pasur nga një prezantim mbi Procesin legjislativ përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile (Hajrullah Çeku nga Forum 2015, Sami Kastrati – gazetar, Armend Bekaj nga OSBE-ja dhe Ismet Kryeziu nga KDI).

Në fund të sesionit të sotëm deputetëve të rinj u është prezantuar DVD-ja mbi Kuvendin e Kosovës e prodhuar nga Forum 2015.

Programi hyrës për deputetë të rinj vazhdon punën nesër në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Dita e dytë e Programit hyrës për deputetë e rinj