Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti delegacionin e të BDSH-së, i kryesuar nga Bardhyl Mahmuti

, 04.02.2008




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me një delegacion të BDSH-së nga Maqedonia, i kryesuar nga Bardhyl Mahmuti. Në fillim të takimit delegacioni i BDSH-së i shprehu urimet më të përzemërta Jakup Krasniqit , në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Duke u falënderuar për këto përgëzime, kryeparlamentari Krasniqi, në vijim i uroi punë të mbarë udhëheqjes së BDSH-së, parti kjo e formuar kohë më parë. Le të jetë kjo parti zë i vërtetë i shqiptarëve në Maqedoni, për t’ iu dalë zot të drejtave dhe lirive të tyre , për t’ u integruar në BE dhe në integrimet mbarë kombëtare , që do të ndodhin në atë Union, tha Krasniqi.

Në prononcimin para medieve, përkitazi me këtë takim, Bardhyl Mahmuti shprehu bindjen e plotë se në këto momente historike kemi njerëz që kanë shtruar mirë çështjen e Kosovës para botës, organizuan luftën dhe në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar , posaçërisht SHBA-të dhe NATO-n arritën të heqin forcat okupuese serbe nga Kosova . Ardhja e tyre në krye të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës jep shpresa të mëdha që ky proces do të kurorëzohet me rezultate të mëdha dhe do të hapë perspektivën drejt integrimeve evroatlantike. Z. Bardhyl Mahmuti e kishte njoftuar kryeparlamentarin Krasniqi edhe për disa probleme me të cilët ballafaqohen shqiptarët e Maqedonisë, duke kërkuar që të realizojnë të gjitha të drejtat që u takojnë. Duke u ndërlidhur me këtë kontekst, kryeparlamentari Krasniqi tha se një pjesë e ekipit , është edhe vetë Bardhyl Mahmuti, i cili ishte pjesëmarrës në të gjitha angazhimet që nga vitet “80 e këndej.

Në një pyetje të gazetarëve se si do të reflektohet çështja e zgjedhjes së Tadiqit në krye të shtetit serb, kryeparlamentari Krasniqi tha se është e udhës që Serbia të pranojë rrjedhat demokratike dhe realitetin e ri që është krijuar në Kosovë. Ndërkaq, proceset që zhvillohen në Serbi janë të ndara nga proceset që janë duke u zhvilluar në Kosovë. Sa i përket datës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi , tha se Parlamenti i Kosovës në bashkërendim me SHBA-të dhe Unionin Evropian brenda muajit do të shpallë pavarësinë. Për shpalljen e këtij akti madhor, tashmë Kuvendi i Kosovës është i gatshëm, tha z. Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi priti delegacionin e të BDSH-së, i kryesuar nga Bardhyl Mahmuti