Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti

, 04.02.2008




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi priti sot kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në krye të një delegacioni të kësaj partie që vepron në Maqedoni, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë në vigjilje të shpalljes së pavarësisë së vendit, për nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Kryetari i BDI-s; Ahmeti e ka uruar kryeparlamentarin Krasniqi për krijimin e institucioneve të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e nëntorit dhe për zgjedhjen në krye të legjislativit të vendit. Ai ka shprehur kënaqësinë për triumfin e klasës politike e cila ka projektuar ardhmërinë më të mirë të bashkëkombësve tanë, ndërkaq ka lavdëruar menaxhimin me urtësi të situatës nga bartësit e funksioneve shtetërore të Kosovës dhe urtësinë e treguar të popullit të Kosovës në këto momente tepër të rëndësishme për ardhmërinë e vendit.

Në këtë takim në të cilin merrnin pjesë edhe anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti dhe këshilltarët e kryeparlementarit, Krasniqi ka vlerësuar qëndrimin unanim të partive politike shqiptare në Maqedoni për pavarësinë e Kosovës, qëndrim ky që ka reflektuar pozitivisht edhe tek subjektet politike maqedonase për të përkrahur krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. “Natyrisht që ne si shtet i ri që po krijohemi dhe do të njihemi së shpejti, kemi obligime për të ndihmuar shqiptarët në Maqedoni për një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme” është shprehur Krasniqi. Bashkëbiseduesit janë pajtuar për synimet e përbashkëta për integrim në BE dhe NATO, por edhe për integrime brendakombëtare.
Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti