Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti dy deputetë të Bundestagut gjerman
, 04.02.2008
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot, në orët e mbrëmjes, deputetët e Bundestagut gjerman , zonjën Ursula Mogg dhe z. Rainer Arnold, me të cilët ka biseduar për gjendjen në Kosovë para momentit rëndësishme të zgjidhjes së statusit.
Parlamentarët gjermanë, Mogg dhe Arnold, pasi e kanë përgëzuar kryeparlamentarin Krasniqi për postin me rëndësi, në të cilin është zgjedhur, kanë vlerësuar me interes, jo vetëm për Kosovën, që shpallja e pavarësisë të kalojë në mënyrë sa më paqësore. Ata, ndërkaq, kanë tërhequr vëmendjen se pas shpalljes së pavarësisë Kosovën e presin sfida të mëdha, sidomos për sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit, që ka trashëguar një ekonomi të paktë e të brishtë, të shkatërruar nga lufta.
Kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar për ndihëm e madhe të Gjermanisë për Kosovën, sidomos për kontributin e KFOR-it gjerman në planin e sigurisë. Në këtë mes ai ka lavdëruar mbështetjen e Gjermanisë për arsimin në Kosovë, ndërkaq si shembullin më të mirë të suksesit ka përmendur Shollën në gjuhën gjermane në Prizren.
Duke u ndërlidhur me sfidat e zhvillimit ekonomik të vendit, Krasniqi ka spikatur se vonesa e zgjidhjes së statusit të Kosovës ka penguar investimet e huaja në ekonomin e vendit. Ai, ndërkaq është shprehur optimist se vendet e BE-së do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve të Kosovës, sidomos të punëtorëve sezonalë, duke i garantuar parlamentarët gjermanë se Kosova ka fuqi punëtore të kualifikuar edhe për tregun e punës së vendeve të BE-së.